Kryetari i Obiliqit reagon ndaj deklarates të kryeshefit të KEK-ut për ndërtimin e parkut solar, pa konsultim me komunën

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili në media ka prezantuar ndërtimin e një parku solar, pa konsultime me komunën ku operon kjo korporatë.

Sipas drejtorit të KEK, Nagip Krasniqi, projekteve për energjinë duhet kushtuar rëndësi.

Por, kryetari Gashi, ka thënë se KEK-u, nuk po respekton e as nuk realizon asnjë obligim ndaj qytetarëve të Obiliqit që përcakton Ligji për Obiliqin.

Lidhur me këtë, gjatë ditës sotme komuna e Obiliqit ka drejtuar shkresat si në Qeverinë e Republikës së Kosovës ashtu edhe në ministritë e atakuara me Ligjin për Obiliq, e po ashtu edhe në menaxhmentin dhe bordin drejtues të KEK.

Reagimi i plotë i kryetarit Gashi:

(Lidhur me deklaratën e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, z.Nagip Krasniqi)

Në deklaratën e tij të dhënë në Gazetën Express, z.Krasniqi paska bërë të ditur ndërtimin e një parku solar, si kryetar i komunës së Obiliqit, jam shumë i interesuar të dije se ku do ndërtojë një park të tillë, pa realizuar asnjë takim të vetëm që nga marrja e mandatit me institucionet e nivelit lokal, respektivisht në komunën ku operon Korporata Energjitike e Kosovës, e që si institucion nuk respekton e as nuk realizon asnjë obligim ndaj qytetarëve të Obiliqit që përcakton Ligji për Obiliqin.

Komuna e Obiliqit, mirëpret projekte e planifikime, por nuk lejon në asnjë formë realizimin e projekteve pa njoftuar të gjithë komunitetin. Komuna e Obiliqit, është institucion i vënë në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtjen e të drejtave të tyre, prandaj mirëpret dhe kërkon bashkëpunim nga Korporata Energjitike e Kosovës për këtë çështje si dhe gjatë ditës së sotme kemi adresuar një kërkesë për obligimet e tyre të papërfunduara karshi qytetarëve të Obiliqit që i obligojnë ligjet në fuqi, ne jemi në pritje të një përgjigjeje brenda afateve në të kundërten do ndjekim veprimet dhe rrugët tjera ligjore.

Xhafer Gashi”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme