Kryetari i sapozgjedhur i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi në një intervistë për Ekonomia Online e ka quajtur të paarsyeshme tërheqjen e Bankës Botërore nga projekti i termocentralit “Kosova e Re”.
Sipas tij, tërheqja e Bankës Botërore nga termocentrali “Kosova e Re” është bërë me arsyen se ka ndërruar klima ekonomike dhe kushtet në raport me projektet energjetike.
“Ajo që mu më ka shqetësuar ka qenë qasja e Bankës Botërore dhe disa institucioneve tjera financiare të cilët e kanë dizajnuar projektin e kanë drejtuar në drejtimin e vet, kanë dhënë fjalë që projekti do të përkrahet dhe pastaj tërhiqen pa ndonjë arsye të fuqishme dhe kjo ka qenë shqetësuese. Ka qenë mesazh negativ dhe realisht na ka humbur shumë kohë dhe na ka humbur shumë kredibilitet në këtë projekt”.
Ai tha se projekti do të mund të realizohej edhe pa Bankën Botërore, duke i vënë faj për vonesat e shkaktuara në realizimin e projektit të termocentralit.
“Unë mendoj që edhe shumë më herët projekti ka pas mundësi me ec edhe pa Bankën Botërore, mirëpo ne jemi zotuar për disa obligime të partneritetit ndërkombëtarë të cilat kemi menduar që janë më të favorshme, mirëpo po dalin që jo. Banka Botërore na ka shpenzuar vite në definimin e këtij projekti, finalizimin e këtij projekti dhe tash në fund thotë që ndoshta paska ndërruar klima ekonomike ose paskan ndërruar kushtet në raport me projektet energjetike dhe tash hajde ta bëjmë edhe një studim dhe ta shohim a duhet të jemi pjesë e projektit apo jo”.
“Unë edhe më herët e kam favorizuar një projekt që nuk e përfshin Bankën Botërore, që sigurisht sjell kosto më të madhe, për shkak të investimit me kosto më të madhe. Ka pas mundësi tjera me operator tjerë, që ka qenë mundësi ndoshta para 10 viteve dhe tashmë jemi gati në një status kohë në një bllokadë”, tha ai.
Rukiqi tha se vazhdimi i projektit pa Bankën Botërore do të jetë problematik, ndërkaq shtoi se në këtë mes ka faj edhe qeveria e vendit për vonesat në vendimmarrje.
“Në këtë kuptim nuk është pa faj edhe qeveria sepse edhe ata në periudha të ndryshme me kriza, me vonesa në vendimmarrje, frika me marr vendime, problemet e brendshme dhe problemet me sundimin e ligjit, të gjitha këto kanë ndikuar në zhvillimet e lidhura me termocentralin Kosova e Re, por sidoqe te jetë tash në fund kjo edhe ose nuk është zyrtare por është fol për këtë dhe unë besoj që nuk do të ndryshoj në bazë të disponimit që është në Bankën Botërore, do të na sjellë në një situatë jo të lehtë, por unë mendoj që projekti do të ecë edhe pa Bankën Botërore”, shtoi Rukiqi.
Marrëveshja me kompaninë amerikane “Contour Global” e cila është kontraktuar për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re kap vlerën mbi 1 miliard euro dhe konsiderohet si projekti më i madh në historinë e Kosovës.
Ajo u nënshkrua më 20 dhjetor të vitit të kaluar dhe parasheh investimi prej 1.3 miliard euro duke vënë në funksion njësinë e re prej 500 megavatesh brenda një periudhe katërvjeçare.
Lokacioni përzgjedhur për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re është pranë TC Kosova B. Lokacioni është një fushë industriale që gjendet përafërsisht 1.5 kilometra në perëndim të Obiliqit dhe 9 kilometra në perëndim të Prishtinës.