Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në takim me Shoqatën e Bankave tha se është një ndër shoqatat që përfaqëson sektorin më të shëndetshëm të Ekonomisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Ka shumë hapësira që të promovohen mundësitë e ndryshme të financimit, mirëpo në të njëjtën kohë ne po aspirojmë që të kemi shumë aktivitete të përbashkëta, sidomos në drejtim të edukimit të bizneseve dhe informimit të bizneseve mbi rëndësinë që kanë raportet e tyre me bankat”.
“Ne besojmë që ka hapësirë për përmirësim, nuk janë kamatat bankare problemi kyç që e theksojnë bizneset, por ka shumë hapësira, qoftë me produktet më inovative apo me produktet e tjera, bankat të ndihmojnë në zhvillimin e bizneseve, prandaj ne kemi ardhë në vizitat e para këtu më i ofru partneritet Shoqatës së Bankave dhe me i dëgju kërkesat e Shoqatës së Bankave ku ata kanë më shumë interes në zhvillim të politikave të zhvillimit të sektorit privat dhe në përgjithësi, por edhe t’i kërkojmë modalitete të tjera bashkëpunimi”.
Petrit Balija, kryetar i Shoqatës së Bankave të Kosovës, i uroi mirëseardhje kryetarit të ri të Odës Ekonomike, Berat Rukiqit, raporton EO.
“Ne si Shoqatë e Bankave kemi bashkëpunim me Odën Ekonomike. Kemi bashkëpunim të gjatë dhe punojmë në shumë çështje dhe në shumë nivele, duke përfshirë edhe koordinimin e politikave për zhvillimin e sektorit privat si një nga aspektet më të rëndësishme”.
“Ne si Shoqatë e Bankave kemi interes që të ngrisim vetëdijësimin e bizneseve për mundësitë të cilat janë për financimin e tyre, gjithashtu edhe për të adresuar sfidat të cilat ekzistojnë në financimin e bizneseve të cilat janë si rezultat i gjendjes ekonomike të Kosovës e cila kërkon një vëmendje të shtuar edhe të bizneseve dhe sektorit financiar, por edhe të Odës Ekonomike”, shtoi Balija.