Ka pak ditë që u zgjodh kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Megjithatë, Imer Zeqiri i ka të qarta që në start kërkesat për të cilat do të avokojë si kryesindikalist i policëve.
Lista është goxha e gjatë. Ama, tri i ka më prioritare: implementimi i Ligjit për Paga, atij për Pension të Parakohshëm si dhe atë për Sigurime Shëndetësore.
Zbatimi i të parës, Ligjit për Paga, Zeqiri thotë se do ta rriste dinjitetin e pjesëtarëve të forcave të rendit.
Sipas këtij ligji, që u rrëzua nga Kushtetuesja, Polici i Lartë do të kishte pagë bazë 525.80 euro, polici 478, polici i ri 454 dhe kadeti policor 239 euro.
“Ligji i Pagave padrejtësisht është anuluar dhe zhvlerësuar. Është me rëndësi që ky ligj të ecë përpara. Paga bazë e një polici tash aktualisht është 392 euro, pa e llogaritur rrezikshmërinë. Rrezikshmëria është +140 euro. 392 euro është pagë shumë modeste. Vetëm vullneti i mirë që i mban në punë. Stimulim nuk ka”, u shpreh Zeqiri për “FO”.
Pensionimi i një polici në Kosovë aktualisht ndodh sapo ai të mbush 65 vjeç. Kjo po synohet të ulet në 55. Ligji Për Pensionim të Parakohshëm, me të cilin do të rregullohej ky ndryshim, ishte premtuar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla se do të shkonte për miratim në Kuvend. Deri tasht s`ka ndodh një gjë e tillë.
Andaj, kryesindikalisti Zeqiri thotë se do të angazhohet për përshpejtimin e këtij procesi.
“Është përparësi edhe për shtetin. Gjithashtu do të shërbente për një rifreskim të policisë. Do të vinte një moshë më e re”, u shpreh Zeqiri.
Kur kjo të ndodh, polici i pensionuar do të merrte diku rreth 60 % të pagës aktuale.
E kërkesat nuk mbarojnë me kaq.
Sigurimi shëndetësor është dëshira e moçme e zyrtarëve policorë.
“Sigurimi Shëndetësor. Nuk ka vend në botë ku policët nuk i kanë. Jemi të zhveshur nga kjo e drejtë edhe 22 vjet pas luftës. Do ta shtyjmë përpara këtë çështje”, pohoi Zeqiri.
Imer Zeqiri përmendi edhe disa kushte të tjera, plotësimin e të cilave do ta kërkojë si kryesindikalist i policëve.
Mes tjerash, pagesën për shujtën, orët shtesë gjatë pandemisë, rritjen e pagesës për ndërrimin e natës si dhe sigurimin e transportit.
Në realizimin e këtyre kërkesave, Zeqirin do ta ndihmojë edhe nënkryetari i sindikatës, Avdi Hoti.
Të dy morën besimin për këtë nga 72 delegatë në kuvendin e IV-të zgjedhor.