Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka mbajtur sot një ligjëratë online për studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, me temën “Roli dhe përgjegjësitë e Gjykatës Supreme”.
Gjatë kësaj ligjërate, të cilës iu bashkuan mbi 100 pjesëmarrës, kryetari Peci, sqaroi kompetencat e Gjykatës Supreme, mjetet e jashtëzakonshme juridike përmes të cilave palët mund t’i drejtohen gjykatës, rolin e saj në unifikimin e praktikës gjyqësore etj..
Studentët parashtruan një varg pyetjesh duke nisur nga rishikimi i procedurës penale, pavarësia e gjyqësorit, e drejta e Kosovës për t’ju drejtuar Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut, ndikimi i medias në gjyqësor, përzgjedhja e lëndëve me prioritet, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, paditësi subsidiar etj..
Gjatë ligjëratës, fjalë rasti ka mbajtur edhe drejtoresha e projektit të USAID për Drejtësi, Geralyn Busnardo dhe dekani i Fakultetit Juridik, prof.. Avni Puka.
Kjo ligjëratë u organizua me mbështetjen e projektit të USAID për Drejtësi në bashkëpunim me Dekanatin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, në funksion të rritjes së transparencës së gjyqësorit dhe mundësisë së informimit të drejtë e të saktë për qytetarët në përgjithësi dhe studentët, juristë të ardhshëm, në veçanti.