Supremja miraton një mendim juridik për afatin e parashkrimit dhe dy udhëzime

Prishtinë | 30 Maj 2019 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Është mbajtur sot seanca e përgjithshme me gjyqtarë të Gjykatës Supreme dhe të degëve të saj, Dhomës së Posaçme dhe Kolegjit të Apelit, njoftoi kjo gjykatë. Seanca u mbajt nën udhëheqjen e kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci.

Gjatë kësaj seance është miratuar Mendimi juridik lidhur me llogaritjen e afatit të parashkrimit relativ dhe absolut të ndjekjes penale, në rastet kur kemi të bëjmë me veprën penale Krim i organizuar në raport me veprën penale bazë, për të cilën udhëhiqet procedura penale. Ky mendim juridik është nxjerrë për shkak se në praktikë janë paraqitur dilema, që në rastet kur afati i parashkrimit të ndjekjes penale të veprës bazë është më i shkurtër, është llogaritur sipas kësaj vepre penale dhe jo sipas veprës penale Krimi i organizuar, e cila ka afat më të gjatë të parashkrimit të ndjekjes penale.

Po ashtu, gjatë seancës është diskutuar dhe më pas janë aprovuar dy udhëzime juridike nga Gjykata Supreme, të cilat kanë të bëjnë me veprën penale Rrezikim i trafikut publik, dhe udhëzimi tjetër që ka të bëjë meprocedurën e transferimit të personave të dënuar nga Republika e Kosovës tek shteti tjetër, si dhe transferimin e personave të dënuar nga shtetet tjera në Republikën e Kosovës .

Pikë tjetër diskutimi ka qenë edhe mosfunksionimi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, në mungesë të aprovimit nga Kuvendi i Kosovës të ligjit të ri për këtë dhomë

Ndonëse Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar ka nxjerrë një vendim, sipas të cilit e autorizon kryetarin e DHPGJS që të caktojë kolegjet me gjyqtarë vendorë, pas përfundimit të mandatit të EULEX-it, ku pjesë e kolegjeve ishte nga një gjyqtar nga ky mision, dhe në mungesë të aprovimit të ligjit nga Kuvendi, gjyqtarët nga kjo dhomë kanë refuzuar të përfshihen në kolegje, pa aprovimin e këtij ligji.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme