Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, njëherësh kryesues i Komisionit Konsultativ për Politikë Ndëshkimore, ka nisur sot takimet me gjyqtarët e departamenteve për krime të rënda, për të diskutuar lidhur me veprat penale të korrupsionit.
Me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë, Gjykata Supreme ka përgatitur një draft Udhëzues të veçantë me titull: Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, i cili është elaboruar para gjyqtarëve nga kryetari Peci dhe ekspertja e lartë ligjore e Ambasadës Amerikane, Benina Kusari.
Ky udhëzues qartëson disa prej elementeve kyçe të këtyre veprave, përfshirë pikënisjen specifike, rrethanat lehtësuese dhe rënduese, arsyetimin, dënimet plotësuese, ndalimin e ushtrimit të profesionit, konfiskimin e përfitimit, caktimin e dënimit varësisht prej veprës penale lidhur me korrupsionin zyrtar etj.
Takimi i parë po zhvillohet me gjyqtarët e Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërkaq ditëve në vijim takimet e tilla do të zhvillohen nëpër të gjitha gjykatat themelore në vend, si dhe në Gjykatën e Apelit.