Kryetari i Mitrovicës dhe i Vushtrrisë akuzojnë PDK-në për politizim të spitaleve

Prishtinë | 22 Maj 2018 | 18:01 | Nga

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri si dhe ai i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri kanë lëshuar një reagim të përbashkët në lidhje me raportimet e tentim politizimit të spitaleve të Mitrovicës e Vushtrrisë.

Në kumtesën e lëshuar të dy kryetarët shprehen të shqetësuar me këtë rast ku sipas tyre po dëmtohet rëndë sistem shëndetësor i cili sipas tyre edhe ashtu nuk është në nivelin e duhur, njofton Klan Kosova.

”Qëllimi i PDK-së që përmes ministrit Uran Ismaili të vendosen në krye të Spitalit të Mitrovicës dhe të Spitalit të Vushtrrisë persona që janë anëtarë të subjektit politik PDK apo edhe familjar të tyre, e që nuk vijnë nga fusha e shëndetësisë, tregon se kjo parti ka qëllim primar kapjen e pozitave kyçe në shëndetësi dhe përmes tyre kontrollimin dhe presionin ndaj personelit shëndetësor. I bëjmë thirrje PDK-së që t’i mbajë duart larg nga shëndetësia, sepse veprimet e tyre të fundit janë rrezik për sistemin shëndetësor të komunave tona me më shumë se 200 mijë banorë”, thuhet në reagim.

“E kuptojmë panikun që e ka kapur PDK-në pas humbjeve në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj, por që këto humbje nuk duhet të shërbejnë si arsye për t’i zaptuar institucionet e pavarura, e aq më pak institucionet e shëndetësisë. Jemi shqetësuar me këtë gjendje, ku ShSKUK në koordinim me Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, është në prag të zgjedhjes për drejtorë të Spitalit të Mitrovicës dhe Spitalit të Vushtrrisë, dy persona që asnjë ditë pune nuk e kanë në sistemin shëndetësor e as që kanë shkollim për shëndetësi, por që të vetmen ‘meritë’ e kanë se i kanë shërbyer PDK-së për shumë vite. Personi i vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin e Vushtrrisë është asambleist i PDK-së dhe ish drejtor komunal në dy mandate. Po ashtu edhe kandidatja e vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin në Mitrovicë është gruaja e këshilltarit politik të Kadri Veselit”.

“Iu bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse, me theks të veçantë kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit që t‘i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për ta rishikuar rastin e konkursit për përzgjedhjen e dy drejtorëve të këtyre spitaleve. Anulimi i këtij konkursi dhe hapja e një gare të mirëfilltë, ku pjesë e saj do të ishin specialistët më të devotshëm të shëndetësisë, do t’ia kthente dinjitetin sistemit shëndetësor dhe shpresën qytetarëve se mund të trajtohen profesionalisht në spitalet e tyre, e jo të marrin rrugë drejt spitaleve të shteteve rreth nesh”, thuhet në reagimin e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme