Kryetari Rama priti autorin norvegjez Osvald Bjelland, libri i tij prezantohet në Prishtinë

Prishtinë | 17 Qer 2025 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, priti autorin norvegjez Osvald Bjelland, i cili ndodhet në Prishtinë me rastin e konferencës ndërkombëtare që i dedikohet librit “Shpresë për jetën në planetin tonë: frymëzim për shtatë gjenerata”, raporton Ekonomia Online.

Rama tha se është nder dhe fat që është njëri nga 64 autorët e përfshirë në këtë vepër të veçantë, duke e cilësuar atë si një kontribut të madh për të ardhmen e njerëzimit.

“Ka ardhur si mysafir për konferencën që e kemi nesër dhe pasnesër që i dedikohet librit që kanë kontribuar 64 kontribues, një prej të cilëve jam edhe unë. Ju sillni këtë libër të mrekullueshëm, këtë kontribut të madh për të ardhmen dhe unë përmenda që titulli i librit ‘Shpresë për jetën në planetin tonë: frymëzim për shtatë gjenerata’ është një përmbledhje me 64 autorë dhe unë jam me fat, i nderuar dhe i lumtur që jam njëri prej tyre, ndaj ju falënderoj që më ftuat të kontribuoj në këtë libër fantastik, i cili ka shumë autorë: autorë të mëdhenj, njerëz të mëdhenj”, tha Rama.

Ndërsa, Bjelland shprehu kënaqësinë që është sërish në Prishtinë, duke ndarë historinë se si pandemia COVID-19 e frymëzoi të kërkojë nga njerëzit më të afërt mendimet e tyre për të ardhmen, ide që më vonë u bënë bazë për këtë libër.
Ai theksoi se bota ka nevojë për shpresë dhe shërim dhe se kjo përmbledhje synon të japë pikërisht këtë mesazh.

“Është një kënaqësi e vërtetë dhe me të vërtetë kënaqësi të jem sërish në Prishtinë dhe në këtë pjesë të botës, me të cilën jam njohur vetëm vitet e fundit. E shihni, ka shumë përvoja personale që formësojnë mënyrën se si mendojmë dhe si e shohim jetën. Para pesë vjetësh, festova ditëlindjen time të 60-të rreth diellit. Dhe kuptova se njerëzit që doja t’i bashkoja nuk mund të takoheshin për shkak të COVID-it. Ajo që përjetuam atëherë ishte se ne, si familje njerëzore, mund të jemi shumë të ndjeshëm. Por, kur e shikon me sytë e sotëm, kupton gjithashtu sa të fuqishëm jemi kur vendosim të bashkohemi. Dhe mendova, në rregull, çfarë mund të bëj tani? Kështu që u dërgova një email njerëzve që kanë ndikuar jetën time, përfshirë nënën time, xhaxhallarët, anëtarët e familjes dhe të tjerë dhe u bëra vetëm një pyetje: Më trego për shpresën tënde për të ardhmen. Kjo ndodhi në mes të pandemisë COVID. Dhe përgjigjet që mora ishin të jashtëzakonshme. Mora shumë materiale të bukura. Dhe pastaj, natyrisht, fillova të mendoj dhe të lexoj të gjitha ato që më dërguan. Fillova ta shikoj botën ndryshe dhe kuptova që botës i duhet shpresë dhe botës i duhet shërim. Për shembull, një nga arsyet pse ndoshta e dua të vij këtu është një histori e shkurtër për vjehrrin tim të ndjerë. Ai ishte një pjesëtar shumë aktiv i rezistencës në Norvegji. Dhe në ditëlindjen e tij të 80-të, vendosëm të shkonim në një vend të quajtur Moss, në Norvegji, ku në vitin 1939 ishin mbledhur të gjithë njerëzit e rezistencës”, shtoi ai.

Konferenca për librin pritet të mbahet nesër dhe pasnesër në Prishtinë.

Të ngjashme