Derisa po flitet për të drejtën e gruas në trashëgimi, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci tha se ai nuk ka pronë, por gruas ia ka lënë kartelën e bankës që ajo të tërheqë para sa të dojë.
“Unë gruas ia kam lanë kartelën se s’kom pasuni e prej aty munet me marrë sa të don. Po e them si ni shembull prej vetës, që sa kom dhanë”, tha ai.
Madje Peci përmendi edhe një fjali “.. disa jem të pasun e disa të varfun, po atë pasuni që e kemi është mirë me nda me gratë, vajzat, nanat tona”, tha ai.
Peci pati një apel për gratë, u kërkoi atyre të jenë më të zëshme në atë që u takon, trashëgiminë në pronë.
“.. të jenë më të fuqishme, më të zëshme, mos ta kemi vetëm një Shyhrete Berisha, por disa Shyhrete. Kërkoni të drejtat, jo që i kërkojnë, por u takojnë”, tha ai.
Kryetari i Supremes tha se dëshiron që të ketë ligje të qarta në këtë drejtim, që më pas mos të ketë probleme në zbatim.
Në kuadër të projektit “Fuqizimi i grave për të kërkuar të drejtat e tyre në trashëgimi”, në tryezën e organizuar nga Zyra e BIRN në Kosovë u diskutua mbi të drejtat e pronës dhe trashëgimisë dhe analizën se si ligji përfaqëson gratë.