Kryetarja e Bordit: Vendimi i Kurtit është shumë politik, është më shumë për populizëm sesa për Telekomin

Prishtinë | 19 Shk 2020 | 19:01 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim për shkarkimin e Bordit të Telekomit të Kosovës.

E kryetarja e kësaj të fundit, Besa Shatri në një prononcim dhënë për arbresh.info e ka komentuar këtë vendim.

Ajo e ka quajtur politik teksa ka treguar se dy herë është përzgjedhur nga ekspertët e Ambasadës britaneze për pozitën që ka mbajtur.

Shatri ka shtuar gjithashtu se kanë kërkuar takim me ministren e re të ekonomisë, Rozeta Hajdari, por që ajo nuk u është përgjigjur.

E para e Bordit të ndërmarrjes publike, Telekomi i Kosovës ka thënë se vendimi është marë në bazë të një raporti që nuk e pasqyron komplet punën e Bordit.

“Vendimi është shumë politik, është më shumë për populizëm sesa për Telekomin. Bordi i Telekomit, unë personalisht i kam kaluar dy filtra të përzgjedhjes, edhe ekspertët e Ambasadës britaneze, dy herë kam kaluar dhe kam dalë në top listë e këta që proklamojnë se do të angazhojnë britanikët në përzgjedhje të Bordeve për shkak të profesionalizimit, i kanë injoruar dy procese të vlerësimit dhe kanë ardhë në një vendim duke e marrë një përformancë të cilin as një vit të plotë të punës Bordi nuk e ka pas e janë bazuar në atë raport”, ka thënë ajo.

Shatri ka shtuar se ky vendim do të ndikoj negativisht në proceset e Telekomit.

“Koha do ta tregoj të vetën dhe do të dëshmoj nëse ka qenë në të mirë apo në dëm të Telekomit. Ne jemi plotësisht të bindur se do t’i bëj shumë dëme për shkak të proceseve të rëndësishme që është duke kaluar ndërmarrja momentalisht. Këto procese janë injoruar nga Ministrja, ajo ka shpesë mungesë totale të interesimit”, ka shtuar Shatri.

Shatri ka thënë se në 2018-en janë ulur shpenzimet në bazë të një vendimi të Bordit.

“Kjo nënkupton se ministrja as nuk e ka marrë me e analizu raportit financiar sepse secili shpenzim I Telekomit të Kosovës krahasuar me vitin paraprak në vitin 2018 ka ra, ka pas masa që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në ulje të shpenzimeve e që ministrja e I ka injoruar dhe nuk është marrë me to”, ka thënë ajo.

Kryetarja e Bordit të Telekomit të Kosovës për arbresh.info ka thënë se kanë kërkuar takimin me ministren e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari por që nuk kanë marrë përgjigje.

“Jo nuk na ka ftuar në takim, ne i kemi dërguar letër zyrtare ku e kemi informuar për problemet dhe kemi kërkuar që të takohemi e ajo ka vendos me e injoru edhe kërkesën edhe takimit dhe informimin. Ka besu që kanë informacione të mjaftueshme për me e marrë vendimin”, ka përfunduar ajo.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka vazhduar me shfuqizimin e disa prej vendimeve të marra nga Qeveria paraprake.

Në mbledhjen e sotme gjithashtu është marrë vendim për shkarkim të Bordit të Telekomit të Kosovës. Kjo u propozua nga ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari ndërsa është përkrahur nga të gjithë anëtarët e Qeverisë.

Të ngjashme