Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, gjatë raportimit për tremujorin e punës ka kërkuar të shtohet siguria në Pallatin e Drejtësisë, për shkak se siguria në atë objekt është shumë e brishtë.
Në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Shabani-Rama tha se duhet të shtohen punëtorët e sigurimit dhe kjo duhet të jetë prioritet.
“Siguria në Pallatin e Drejtësisë është shumë e brishtë, me një shikim të thjeshtë mundeni me ardhë me vizitu, me hy në Prokurorinë Themelore dhe me kalu në Gjykatë Themelore dhe me pa çfarë dallimi ka në ofrimin e sigurisë”, tha ajo.
Sipas saj, e gjithë kjo duke pasur parasysh natyrën e lëndëve dhe llojin e personave që trajtohen.
“Konsideroj që mundemi me ardhë para një akti jo të pëlqyeshëm për të gjithë”, shtoi ajo.
Veç kësaj, Shabani-Rama përmendi edhe shtimin e referentëve në gjykatë, ku tha se Këshilli ka kohë që nuk ka hapur një konkurs të tillë.
Në lidhje sigurinë, kryesuesi Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, tha se janë duke u bërë specifikat për të gjitha degët dhe shumë shpejt do hapet tenderi për punëtorë të sigurimit, pasi kjo ka qenë shqetësim edhe i gjyqtarëve.
Ndërsa, edhe për referentë tha se është duke u adresuar.
Ndryshe, në mbledhjen e Këshillit po raportojnë kryetarët e të gjitha gjykatave, ku kanë treguar përformancën dhe sfidat e gjykatave.
Shabani-Rama: Më fillim të vitit, Departamenti Special në Prishtinë transferoi 13 lëndë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës
Prishtinë – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, gjatë raportimit për tremujorin e punës në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se në javën e parë të vitit 2024, kanë transferuar 13 lëndë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, në Departamentin Special të Gjykatës në Prishtinë.
“Në javën e parë të këtij viti, bashkërisht me ushtruesin e detyrës së Gjykatës së Mitrovicës kam jep aprovimin si kryetare e gjykatës që të transferohen 13 lëndë të Prokurorisë Speciale të cilat gjenden në Gjykatën e Mitrovicës, për trajtim dhe gjykim në Departamentin Special në Gjykatën e Prishtinës”, tha ajo, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Këtë aprovim tha e kanë bërë për interesin e drejtësisë, kjo duke pas parasysh sfidat me të cilat ballafaqohet Gjykata e Mitrovicës dhe faktin që këto lëndë janë duke pritur që një kohë.
Shabani-Rama tha se varësisht nga natyra e rasteve presin që këto lëndë t’i fusin në planin e punës këtë vit.
Në lidhje, me transferimin e këtyre lëndëve, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj tha se kanë kontriubu edhe vetë ata si Këshill.
Në anën tjetër, kryetarja e Gjykatës tha se gjatë viti do ta shohin mundësinë e shtimit të gjyqtarëve në Departamentin Special, pasi me ligj janë zgjeruar kompetencat ku tashme një pjesë e lëndëve të korrupsionit kalojnë në Departament Special. /BetimipërDrejtësi