Marrëveshja e arritur në Washington nuk ka vlerë juridike, pasi nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend, tha në një intervistë për Ekonomia Online, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. Tutje, ai shtoi se takimi i ardhshëm në Bruksel në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë dakordim mbi agjendën e dialogut të ri.
Kryeziu tha se Marrëveshja e nënshkruar në Washington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është jo legjitime pasi është nënshkruar nga Qeveria Hoti, që sipas tij ishte jo legjitime.
Tutje, ai tha se janë në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët.
“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”.
Për takimin e 15 qershorit në Bruksel, Kryeziu tha se gjatë këtij takimit është bërë e qartë nga Qeveria se njohja reciproke është finalizimi i vetëm që Kosova e pranon.
“Takimi i 15 qershorit ishte takim për dialogun. Pra jo takim në kuadër të procesit të dialogut. Ishte një takim në të cilin kryeministri Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Bislimi ka shprehur dhe paraqitur vizionin e kësaj qeverie sa i përket dialogut duke kërkuar që si proces i ardhshëm nuk duhet t’i ngjasojë atij të mëparshmit i cili ishte i pakornizuar dhe pa agjendë të dakorduar paraprake. Andaj gjatë takimit është bërë e qartë që ne jemi për një dialog i cili është i përgatitur mirë me parime paraprake i kornizuar dhe që në fillim të procesit të ketë dakordim të palëve mbi elementet kryesore të një marrëveshje finale e cila nënkupton që do ta ketë edhe njohjen reciproke si një kërkesë të hapur të Kosovës edhe si një pritshmëri e kërkesë e ShBA-së të shprehur përmes letrës së presidentit Biden”, tha ai.
Ndërsa sa i përket raportimit të kryeministrit në Kuvend për takimin në Bruksel, ai ka thënë se nëse ka ndonjë ftesë nga Kuvendi apo Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme, Kurti është i hapur të japë përgjigje.
Megjithatë, ai tha se në takimin e ardhshëm do të ketë takime të ndërmjetme me ndërmjetësuesin ashtu që të ketë një përpjekje për të pasur një dakordim mbi agjendën e dialogut të ri, ku do të diskutohet edhe tema e të pagjeturve që është ndër temat më të rëndësishme në çdo diskutim me palën serbe.
Qeveria e Kosovës është maksimalisht e përkushtuar për adresimin e çështjes së të pagjeturve dhe e kërkon atë në çdo takim që ka në kuadër të cilido proces i cili mund ti shërbejë zgjidhjes së saj potencoi Kryeziu.
“Në qoftë se ka ndonjë ftesë nga Kuvendi apo Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme ne jemi të hapur t’i japim përgjigje përkitazi me ftesën që pranojmë sa i përket kësaj çështje”.
“Takimi i ardhshëm është takim i cili është në shërbim të dialogut të ardhshëm. Takimi i parë ishte vetëm informues në të cilën u paraqitën pozicionet e Kosovës dhe pozicioni i saj për dialogun. Në takimin e ardhshëm do të ketë takime të ndërmjetme me ndërmjetësuesin ashtu që të ketë një përpjekje për të pasur një dakordim mbi agjendën e dialogut të ri për shkak se kjo është sa e domosdoshme është e patejkalueshme ashtu që të bëhet shkëputja ndërmjet këtij dialogu me atij të mëparshmit. Tema e të pagjeturve është ndër temat më të rëndësishme në çdo diskutim që ne kemi me ndërmjetësuesin e me palën serbe. E njëjta është përmendur edhe në takimin e parë ndonëse nuk kishte ndonjë agjendë të përgatitur. Qeveria e Kosovës është maksimalisht e përkushtuar për adresimin e çështjes së të pagjeturve dhe e kërkon atë në çdo takim që ka në kuadër të cilido proces i cili mund t’i shërbejë zgjidhjes së saj. Për këtë do të bëhen përgatitjet e nevojshme ashtu që të ketë sukses”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut, por palët nuk u morën vesh për temat e ngritura.
Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.