Kryeziu: Numri i madh i votave të pavlefshme nga mërgata dëshmi që procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet

Prishtinë | 22 Shk 2021 | 10:42 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka  vlerësuar se numri i madh i votave të shpallura të pavlefshme  nga diaspora është dëshmi se ky procesi i votimit nga jashtë vendit duhet ndryshuar.

Zëdhënësi i VV-së, Përparim Kryeziu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ndër hapat e parë që kjo parti do ta marrë në Kuvend, do të jetë ndryshimi i ligjit i cili u mundëson mërgimtarëve të votojnë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës.

Postimi i plotë:

Numri i madh i raportuar i votave të pavlefshme nga mërgata është dëshmia përfundimtare që procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet menjëherë.

E drejta për të votuar është e drejtë dhe njësi themeltare e demokracisë, për çka shteti demokratik dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi që të gjejnë mënyrat më të përshtatshme për të garantuar ushtrimin e saj. Procesi i votimit duhet gjithmonë të jetë i lehtë dhe inkurajues.

Nëse nga rreth 200 mijë të regjistruar për votim nga jashtë dhe qindra euro pagesa për shërbim postar, një numër shumëfish më i vogël i tyre mbërrijnë në Kosovë me kohë, e shumëfish më i vogël numërohen si vota të vlefshme atëherë këtu problemi është sistemor e institucional. Prandaj edhe ndërhyrja duhet të jetë e këtillë. 

Me t’u formuar institucionet, ndër hapat e parë që Lëvizja VETËVENDOSJE! do të ndërmarrë në Kuvend është ndryshimi i ligjit ashtu që mërgata të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Bashkatdhetarët janë qytetarë të Republikës. Ata janë pjesë e pandashme e zhvillimit të vendit dhe vendimmarrjes në vend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme