Perparim Kryeziu, zëdhënësi i LVV-së, ka thënë se në takimin me Miroslav Lajçak, emisarin e dialogut Kosovë-Serbi, me këtë subjekt politik është diskutuar për procesin e dialogut në vete.
“Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk ka mundur të jetë temë e këtij takimi pasi z. Lajcak është shumë i vetëdijshëm për qëndrimet dhe vlerësimet e LV-së në lidhje me të. Prandaj edhe nuk është paraqitur nevoja për riaktualizim të kësaj teme në takim me ne. Të njëjtën konsideratë me gjasë nuk mund ta këtë pasur në takimet e tjera, veçanërisht me ata të cilët e kanë negociuar e përkrahur si marrëveshjen e 2013- ës po ashtu edhe atë të 2015-ës”.
“Në fakt, me të drejtë, kjo temë mund të konsiderohet e mbyllur vetëm për LV-në, duke qenë e vetmja që e ka kundërshtuar marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe që nga fillimi – atëherë kur edhe është dashur të shprehet kundërshtimi”.
“Kurse pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit 2015, që e ka bërë praktikisht e përmbajtësisht projekt të pamundur në Republikën e Kosovës, kjo temë duhet të jetë e mbyllur edhe për gjithkë tjetër”, ka shkruar Kryeziu në rrjetin social Facebook.