Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Republikës së Kosovës, sot aprovoi vlerësimet e ekspertëve ndërkombëtarë për akreditimet institucionale të 13 institucioneve të arsimit të lartë.
Vlerësimi është kryer nga ekspertë eminentë ndërkombëtarë, pjesë e listës së ekspertëve të aprovuar kohë më parë nga KShC-ja.
Me vendim të KShC-së dhe me përshtatjen e legjislacionit nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit, vlerësimi i institucioneve të arsimit të lartë është bërë pjesërisht në distancë, dhe me prezencë fizike të zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim në çdo proces të vlerësimit.
Në mbledhjen e sotme KShC-ja miratoi standardet e reja për akreditim të programeve të doktoratës, të cilat, ndër të tjera parashohin që kandidati para se të doktorojë duhet të ketë të publikuar të paktën një punim shkencor në revista shkencore të indeksuara në platformat Web of Science ose SCOPUS. Miratimi i standardeve të doktoratës vjen pas një pune të gjatë dhe gjithëpërfshirëse të të gjithë akterëve që merren me cilësinë në arsimin e lartë. Një kontribut për përpilimin e këtyre standardeve, kanë dhënë anëtarët vendorë dhe ndërkombëtarë të KShC-së. Nëpërmes këtij vendimi garantohet që institucionet e arsimit të lartë që ofrojnë studime të doktoratës duhet të plotësojnë njërin nga kriteret bazike, që ka të bëjë me hulumtimet shkencore të indeksuara në revista kredibile ndërkombëtare.
KShC-ja në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar edhe disa ankesa dhe kërkesa të institucioneve të arsimit të lartë.
Mbledhja e sotme e KShC-së është monitoruar nga dy organizata vendore të shoqërisë civile dhe përfaqësueses së Ambasadës Amerikane në Prishtinë, në cilësinë e vëzhguesit.