Këshilli Shtetëror i Maturës (KShM) ka filluar sot një punëtori me të gjithë anëtarët e Këshillit, zyrtarë të divizionit përkatës në MAShT dhe ekspertë të këtij procesi. KShM në këtë takim ka bërë një analizë në lidhje me përparësitë dhe ngecjet gjatë procesit të Maturës 2018.
Qëllimi i kësaj punëtorie është që të punohet drejt përmirësimit të procesit të Maturës Shtetërore dhe për këtë KShM edhe në dy ditët në vazhdim, veç analizës që po bëhet për Maturën 2018, do të diskutohet edhe rreth planit për Maturën 2019, me fokus të veçantë për ndryshimet e mundshme, qoftë për nevojën e standardizimit të testit, apo edhe të ndryshimeve të nevojshme të këtij procesi në tërësi, e gjithashtu do të diskutojë edhe rreth sygjerimeve të ekspertëve ndërkombëtarë rreth procesit të Maturës.
KShM, gjithashtu ka diskutuar edhe rreth idesë së ministrit Bytyqi për të filluar një debat publik me komunat, shkollat, nxënësit dhe shoqërinë civile, me qëllimin e vetëm që të përmirësojmë dukshëm procesin e Maturës Shtetërore, për faktin se është një nga proceset më të rëndësishme në arsimin parauniversitar.
Nga kjo punëtori Këshilli Shtetëror i Maturës do të dalë me disa të gjetura dhe rekomandime, rreth të cilave KShM do të njoftojë edhe ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.