KShM e vlerëson të suksesshme pjesën e dytë të Provimit të Maturës

Prishtinë | 23 Qer 2016 | 12:56 | Nga

Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), ka konstatuar se pjesa e dytë e Maturës Shtertërore është organizuar dhe administruar mjaft mirë, duke ruajtur kredibilitetin e një procesi real dhe të rëndësishëm. Prandaj, KShM ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e saj për nxënësit, administruesit, mbikëqyrësit dhe kryetarët e qendrave të testimit, si dhe të gjithë pjesëmarrësit tjerë në këtë proces.

Kryetari i KShM-së, Azem Guri, theksoi se në testin e sotëm kanë marrë pjesë 32.150 nxënës në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës në 252 qendra testimi dhe rreth 3.000 administratorë, mbikëqyrës dhe staf tjetër zyrtar.

“Është për t’u vlerësuar se përgatitjet e bëra kanë rezultuar të suksesshme: testi ka filluar me kohë, nuk ka pasur mungesa të testeve në asnjë qendër testimi, administratorët dhe kryetarët e qendrave të testimit kanë arritur me kohë në çdo qendër dhe i tërë procesi ka përfunduar në kohën e paraparë”, tha ai.

Megjithatë, Guri përmendi se me gjithë suksesin e treguar në këtë raund të testimit, KShM është e vendosur që rastet e izoluara ku është konstatuar kopjim apo shkelje të veçuara gjatë administrimit, do të merren masa sipas Ligjit ndaj të gjithë atyre që nuk i kanë përmbushur detyrat dhe obligimet me të cilat janë ngarkuar.

Kryetari i KShM-së theksoi se ekspertët, administratorët dhe mbikëqyrësit tanë, bashkë me drejtorët komunalë,  këshillin rinor, këshillin e prindërve, mediet dhe policinë, si dhe akterët tjerë të përfshirë në proces, i kanë identifikuar dhe evidentuar rastet e abuzimit dhe kopjimit dhe për pasojë në rastet e vërtetuara do të anulohet Provimi.

KShM, theksoi z. Guri, do të veprojë në zbatim të ligjit duke ndërmarrë masa dhe veprime që e ruajnë standardin dhe kredibilitetin e testimit real, të besueshëm dhe korrekt.

Guri falënderoi edhe mediat, të cilat e kanë përcjellë procesin e sotëm dhe kanë dhënë kontributin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi.

Në fund, Guri të gjithë maturantëve që e kalojnë testin, iu dëshiron fat dhe suksese për regjistrim në studime, ndërsa të tjerëve më shumë fat në testimet e ardhshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme