Kthehen serbët e Lubozhdës

Prishtinë | 20 Mar 2017 | 08:46 | Nga

Procesi i kthimit të serbëve në Istog është duke shkuar më mirë se në të gjitha komunat tjera të Kosovës. Kanë mbetur edhe pak fshatra, në të cilat para luftës kanë jetuar familje serbe e në të cilat procesi i kthimit nuk është realizuar ne tërësi. Lubozhda është një fshat i Istogut në të cilin para lufte kanë jetuar 13 familje serbe, por që pas luftës kanë ikur në Serbi, përkatësisht në Kragujevc dhe prej atëherë jetojnë atje. Këto 13 familje serbe, që kanë 63 anëtarë, do të kthehen në fshatin e tyre pasi që ministri për Kthim dhe Komunitete i Republikës së Kosovës, Dalibor Jevtiq, i ka vizituar ata në Kragujevc dhe i ka bindur që të kthehen në Lubozhdë në fshatin e tyre, ngase për ta do të krijohen kushte dhe klimë për jetë të sigurt.

Jevtiq: Kthehen 13 familje me 63 anëtarë

“Kjo çka mua më jep kurajë është dëshira e serbëve të Lubozhdës që të kthehen e të jetojnë në fshatin e tyre, madje edhe në tenda. Në këtë mënyrë ata na japin porosinë gjithë neve që merremi me procesin e kthimit se procesi i kthimit të tyre pas 18 vjetësh është i mundshëm dhe i realizueshëm. Ata duan që përsëri të jetojnë në vatrat e tyre, në Kosovën e tyre. Do të punojmë që këta njerëz përkohësisht t’i vendosim fizikisht në Kosovë, që t’ua sigurojmë strehimin në afërsi të vendit të tyre dhe në ndërkohë të punojmë në rindërtimin e shtëpive të tyre dhe në këtë mënyrë sërish njerëzit tanë të kthehen në pronat e tyre shekullore. Ky është një lajm i mirë për Kosovën, sepse këmbëngulësia që kanë ata duhet t’i trimërojë të gjithë të zhvendosurit”, ka thënë Jevtiq.

Ministri kosovar për Kthim dhe Komunitete ka shtuar se serbët nuk i kanë shitur pronat e tyre dhe kjo, sipas tij, është e rëndësishme. “Ne për këtë shumë herë flasim sepse kurrë nuk dihet se kur do të krijohen kushte për jetë më të mirë dhe kthim për të jetuar në Kosovë. Për këtë arsye duhet të ndalojmë shitjen e pronave, sepse ky do të jetë shansi ynë që në të ardhmen të jemi më shumë në Kosovë”, ka thënë mes tjerash Jevtiq.

Balaj: Serbët janë kthyer në fshatrat e Istogut, lëvizin lirshëm

Ndërkaq përfaqësuesi i serbëve të Lubozhdës, Zharko Zariq, ka siguruar ministrin Jevtiq se ata përherë kanë qenë të gatshëm të kthehen, por nuk u është krijuar siguri për jetesë në fshatin e tyre. “Gjithmonë e kemi pasur në mbledhje të kthehemi në Lubozhdë, por nuk na janë krijuar kushtet, mes tjerash edhe siguri për ne. Tani besoj në fjalët e ministrit Jevtiq, i cili na ka garantuar strehim, se do të na ndërtohen shtëpitë që të mund të jetojmë dhe ta mbrojmë pronat që kemi atje. Ky është kontakti i parë me një ministër të rëndësishëm, i cili është luftëtar i madh për kthimin e personave të zhvendosur”, ka thënë Zariq.

Në anën tjetër Jeta Balaj, zëdhënëse e Komunës së Istogut, i ka thënë “Zërit” të dielën se në këtë Komunë është duke u zbatuar projekti për kthim “RR4”, në të cilin ishte përshirë edhe një serb i Lubozhdës, por që ai për arsye të panjohur kishte hequr dorë.

“Në Lubozhdë aktualisht nuk ka serbë. Një serb i këtij fshati ka qenë i përfshirë në projektin ‘RR4’ për kthim të të zhvendosurve në komunën e Istogut, por ai ka hequr dorë për shkaqet që vetëm ai i di. Projekti ‘RR4’ financohet nga BE-ja dhe nga Ministria për Kthim dhe Komunitete e Republikës së Kosovës”, i ka thënë “Zërit” zëdhënësja Balaj, të dielën. Ajo ka precizuar se serbët janë kthyer në shumë fshatra të Istogut, si dhe në qytetin e Istogut dhe ata lëvizin lirshëm nëpër Istog dhe në mjediset e tjera.

Në Osojan, Komuna serbe e Istogut

“Serbë të kthyer ka në Osojan, Llukafc i Thatë, Cerkolez, Serbobran, Zallq. Serbët janë kthyer edhe në Istog, pastaj në Dragolevc, Tuçep, Sine, si dhe në Bllagaq afër Gjyrakovcit. Me këtë projekt përfiton kryesisht komuniteti serb me ndërtimin e shtëpive dhe kthimin e tyre. Është funksionale Zyra për Komunitete dhe Kthim, e cila merret kryesisht me çështje të kthimit dhe çështje të tjera për komunitetet pakicë në përgjithësi. Serbët kanë lëvizje të lirë dhe vijnë në Komunë vetë për rregullimin e dokumenteve personale, kërkesa për përfitime nga projektet në bujqësi, si për serra, makine mjelëse, bletari dhe kërkesa të tjera. Serbët kanë përfaqësues në Kuvendin e Komunës dhe në institucionet e tjera komunale”, ka sqaruar zëdhënësja e Komunës së Istogut, Jeta Balaj.

Ndryshe, qeveria e Serbisë sikurse në të gjitha komunat e Kosovës ka instaluar administratën paralele serbe (Komuna Serbe e Istogut) edhe në komunën e Istogut. Komuna serbe me të gjitha organet funksion në Osojan, një fshat i banuar me serbë.

Ndërkaq nga Cërkolezi serbët nuk janë larguar as pas përfundimit të luftës, ndonëse siç thonë banorët e lagjes “Imeraj” të Podalishtës së Istogut, shumë serbë të këtij fshati kanë marrë pjesë aktive në vrasjen e 24 anëtarëve të familjes Imeri në Ditën Bajramit të Madh, më 26 mars të vitit 1999. (Zeri)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme