Blerim Xhemaili është kthyer me fitore bindëse në Superligën e Zvicrës në futboll.
Xhemaili është kthyer në Zvicër pas më shumë se 13 vjetësh, ndërsa të shtunën ishte pjesë e Zuerichut që fitoi klasiken ndaj Baselit me rezultatin e thellë, 4:1.
Ish-reprezentuesi i Zvicrës asistoi në golin e dytë të Zuerichut.
Ndeshja i takoi javës së 15-të të Superligës së Zvicrës.
Fidan Aliti e Xhemaili startuan te Zuerichu. Toni Domgjoni hyri në vend të Xhemailit, ndërsa Benjamin Kololli mungoi për shkak të një lëndimi. Hekuran Kryeziu dhe Mirlind Kryeziu nuk ishin fare të grumbulluar. Pajtim Kasami startoi te Baseli, kurse Edon Zhegrova luajti në pjesën e dytë.
Taulant Xhaka është i lënduar, ndërsa nuk u grumbulluan Orges Bunjaku, Elis Isufi e Albian Hajdari.
Baseli është i treti me 23 pikë, ndërsa Zuerichu i katërti me 22.
“Pas më tepër se 13 vjetësh, Blerim Xhemaili gjendet sërish në fushë në Superligë. Së fundi kishte humbur 1:0 kundër Baselit, por kësaj radhe Zuerichu ka përmbysur gjërat”, ka shkruar Blick.