Një ditë përpara zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore të vendit duket se gjithçka tashmë është gati.
Përveç vendvotimeve që tashmë janë të gatshme dhe presin të hapen mëngjesin e së dielës, nga KQZ thonë se deri në atë kohë do të bëhet edhe shpërndarja e materialit të ndjeshëm.
“Në këto 45 ditë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është angazhuar maksimalisht, për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në këto 4 komuna, dhe në dy prej tyre edhe për kuvendet komunale. Sipas planifikimeve shpërndarja e materialit zgjedhor do të bëhet me kohë, ndërkaq sa i përket çështjes së numërimit të fletëvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të veprojë në përputhje me procedurat, ashtu siç është vepruar edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, ka deklaruar Valmir Elezi Zëdhënës KQZ
E sipas deklaratës së Elezit, nënkuptohet se numërimi i fletëvotimeve të rregullta do të bëhet në vendvotimet e improvizuara, teksa ato me kusht, dhe të tjerat në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Nga ana tjetër rreth sigurisë gjatë procesit të numërimit në këto vendvotime, ku shumica prej tyre janë në rrugë, flet njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.
“Me vetë faktin që këto pika janë të siguruara tregon se siguria e vendvotimeve, dhe fletëvotimeve do të jetë në nivelin më të lartë. Dhe për të siguruar mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve, është i angazhuar një plan operativ i Policisë së Kosovës, pra kemi parë qysh sot se ka një plan operativ, dhe mendoj se edhe numërimi edhe bartja e fletëvotimeve në vendet e sigurta do të bëhet me sigurinë më të madhe”, ka theksuar Avni Islami Njohës i Sigurisë.
Në veri është përgjysmuar numri i qendrave të votimi, gjithsej janë 19. Gjashtë prej tyre janë të rregullta, kurse 13 qendra janë alternative të improvizuara në kontejnerë, kryesisht në rrugë.