Ministri i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, sot ka vizituar një gjellëtore në Prishtinë, ku ka ngrënë drekë me kolegët e tij të studimeve, në shenjë nostalgjie për kohën kur ishin studentë dhe e frekuentonin këtë vend..
Këtë, Hoxhaj e ka bërë të ditur në një postim në faqen e tij në Facebook, ku ka zbuluar po ashtu ushqimin e tij të preferuar sa herë që shkon në këtë gjellëtore – pasulin.
“Me kolegët e studimeve të historisë, Bedriun dhe Zelien drekuam në gjellëtoren e famshme “Tip Top” në Prishtinë, nostalgji dhe simbol i shumë gjeneratave. Mundësi jo vetëm për të biseduar për kohën tonë si studentë por edhe për të ngrënë gjellën më të mirë që e bën baca Gani, pasulin”, shkruan në postimin e tij Hoxhaj.
Nuk ndodh shpesh që ministri në detyrë të shihet në vende të tilla, për shkak të angazhimeve në përshkrimin e tij të punës si ministër i Jashtëm, në diplomaci. Sidoqoftë, duket se kësaj radhe Hoxhaj ka zgjedhur diplomacinë e gjellëtores dhe të pasulit.