Gjatë muajit nëntor të këtij viti Kosova ka eksportuar dhe importuar mallra në 27 vende të BE-së.
Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës rreth “Tregtisë së jashtme të mallrave për muajin nëntor 2021”, thuhet se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 19.3 milionë euro, ose rreth 27.3 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 18.1 për qind.
Sipas këtij raporti, partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania me rreth 9.8 për qind, Italia me 3.7 për qind si dhe Bulgaria me 2.5 për qind.
Ndërkaq, importet e Kosovës në nëntor nga vendet e BE-së ishin rreth 190.0 milionë euro, ose 44 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 39 për qind.
Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania me 11.7 për qind, nga Italia rreth 8.0 për qind, Greqia me rreth 4.2 për qind si dhe nga Sllovenia rreth 4.1 për qind.
Vetëm muajin e kaluar eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së arritën në 24.5 milionë euro, ose 34.8 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 35.4 për qind.
Ndër partnerët kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së gjatë kësaj periudhe ishin Shqipëria me rreth 13 për qind, Maqedonia e Veriut me 12 për qind, Serbia me 6.0 për qind si dhe Mali i Zi me 2.9 për qind.
Ndërkohë, importet nga vendet e CEFTA-së, në muajin nëntor të këtij viti, arritën në 85.2 milionë euro, ose 19.7 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 32.8 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Shqipëria me 6.7 për qind, Serbia me 6.6 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 5.1 për qind.
Të dhënat e këtij raporti poashtu tregojnë se eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 26.7 milionë euro, ose 37.9 për qind.
Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden SHBA-ja me 20.2 për qind dhe Zvicra me 7.5 për qind. Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 156.6 milionë euro, ose 36.3 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë të importit në këtë grup ishin Turqia me 13.2 për qind dhe Kina me 9.3 për qind. (Buletini Ekonomik)