Kur kanë mbetur edhe një javë e një ditë deri në fund të këtij viti, kryeministri i vendit (Albin Kurti, në këtë rast), do të duhej me dalë në një konferencë për media dhe me i listu punët që i ka bërë qeveria e tij për me ia rregulu jetën qytetarit kosovar. Krahas tyre, do të duhej me tregu edhe çka e ka ndërmend të bëjë vitin që vjen, i cili do të jetë gjithsesi më sfidues, duke ditur mundësinë e largimit masiv të qytetarëve pas liberalizimit të vizave.
Por, jo. Kryeministri Kurti me ministrin e tij Sveçla, një javë para ndërrimit të moteve dalin dhe japin detaje për një sulm terrorist të para tre muajve dhe iu thonë qytetarëve se si Serbia qenka duke përgatitë sulme të reja.
Pse duhet me i folë popullit për këto? Pse të përhapet panik mes qytetarëve për këto? Çka iu duhen qytetarëve emrat dhe fytyrat e terroristëve? A s’janë këto çështje me të cilat duhet me u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë?
Ku është qëllimi i gjithë kësaj? Nëse po doni me tregu zotësi, këto gjetje e ky hetim s’janë të juajat, por të organeve të shteti që ende i quani të kapura e që i lini me u anku për paga. Nëse po doni me reflektu transparencë, kjo s’është që iu kërkohet në këso raste. Transparencën tregojeni kur i paguani këshilltarët nga 1000 euro në ditë apo 7500 euro në muaj.
Nëse po doni me përgatitë popullin për luftë, faleminderit, po e kemi kryer në vitin 1999.