Partitë politike, me bekimin e presidentit, u morën vesh që zgjedhjet lokale t’i mbajnë më 22 tetor, por për to nuk është ndarë asnjë euro, raporton KTV.
Paratë që ishin ndarë me aprovimin e buxhetit të këtij viti, u shpenzuan për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Një rrezik i tillë ka shumë gjasa të zgjasë për një kohë të gjatë, pasi në mungesë të qeverisë, nuk po mund të bëhet rishikimi i buxhetit, i paraparë të ndodhë brenda qershorit.
Ministri në detyrë i financave, Avdullah Hoti, i ka thënë KTV-së se nga 112 milionë euro që po mungojnë, 88 milionë janë nga AKP-ja.
Ai thotë se ndonjëra nga këto probleme mund të gjejë një zgjidhje duke shfrytëzuar rialokimin e brendshëm, por shumë të tjera do të mbesin në dorën e institucioneve të reja, për të cilat shpreson të formohen shpejt.