Serbia asnbjëherë nuk do të heqë dorë nga procedimi i krimeve të luftës, të kryera nga UÇK-ja ndaj popullatës joshqiptare në Kosovë gjatë viteve të nëntëdhjeta.
Kështu i tha gazetës “Novosti” të Beogradit, ministrja e Drejtësisë e Serbisë, Nela Kuburoviq, ndërsa vazhdojnë kritika të ashpra nga Prishtina për shkak të ekzistimit të një liste të re me emrat e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që Serbia ia ka dorëzuar INTERPOL-it.
Gazeta rikujton se veteranët e UÇK-së kanë reaguar me arsyetimin se në listën e INTERPOL-it ka emra të rinj të pjesëtarëve të UÇK-së ndaj të cilëve Serbia kërkon arrestimin, për pasojë dy sish janë ndaluar në Shqipëri e Turqi, por që pastaj janë lënë të lirë.
Kuburoviq nuk ka konfirmuar ekzistimin e ndonjë liste të re, por tha se Serbia asnjëherë nuk do të heqë dorë nga ndjekja e të dyshuarve për krime lufte.
Proceset që zhvillohen në gjykatat serbe janë hapur në bazë të fakteve materiale, prandaj nuk ka kurrfarë arsyesh juridike që të hiqet dorë nga fletarrestet për autorët e dëshmuar të krimeve”, ka thënë Kuburoviq, transmeton Koha.net.
Sipas saj “Kosova e Metohija është pjesë e Serbisë nën protektoratin e OKB-së”, kur Serbia po përpiqet të “realizojë nivelin më të lartë të sovranitetit të saj”.
Ajo ka kritikuar edhe Projektin e Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së, duke përkujtuar se atë e ka kritikuar edhe Perëndimi.