Kuçi e Ahmeti të vendosur për bashkëpunim në projekte më të mira publike të kryeqytetit

Prishtinë | 14 Kor 2020 | 16:11 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka mbajtur sot një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Mes ministrit Blerim Kuçi dhe kryetarit Shpend Ahmeti janë diskutuar një sërë temash, që kanë vënë fokus në funksionimin më të mirë në këtë periudhë të të gjitha shërbimeve publike që varen nga Ndërmarrjet Publike Qendrore.

Ministri Kuçi e ka siguruar ekzekutivin e kryeqytetit që do t’i ketë në fokus dhe se bashkëpunimi do të jetë i përhershëm.

“Të gjitha marrëveshjet dhe memorandumet e mëhershme mes Komunës së Prishtinës dhe resoreve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit do të konsiderohen dhe ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bashkëpunimin. Prishtina është kryeqytet dhe ne e dijmë rëndësinë e funksionimit të rregullt në kryeqytet. Këtu hyjnë edhe shërbimet publike që kryhen nga Ndërmarrjet Publike Qendrore, që janë fushëveprim i ministrisë sonë. E njëjta do të jetë edhe për temat e Mjedisit apo edhe Planifikimit Hapësinor”, ka thënë ministri Blerim Kuçi.

Në anën tjetër, kryetari Shpend Ahmeti u shpreh i gëzuar me një qasje të tillë bashkëpunimi nga ministri Kuçi, duke e falënderuar dhe u treguar i gatshëm për secilin bashkëpunim që ofrohet.

Në këtë takim u nënshkrua edhe një memorandum mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit që për 10 vitet e ardhshme do t’i sigurojë Komunës së Prishtinës një hapësirë për Pikën Informuese Turistike.

Kjo pikë do të vendoset në një hapësirë përdhese tek Ministria e Ekonomisë dhe do të ketë dalje direkte në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Të ngjashme