Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson.
Zëvendëskryeministri Kuçi fillimisht njoftoi z. Danielsson për punën që institucionet e Kosovës janë duke bërë në rrugën e integrimit evropian, duke theksuar se agjenda evropiane vazhdon të mbetet fuqi shtytëse e reformave në vend.
“Kosova ka vizion të qartë për sa i përket orientimit perëndimor dhe agjenda evropiane mbetet një ndër shtyllat kryesore në planin kombëtar të zhvillimit”, theksoi Kuçi.
Zëvendëskryeministri Kuçi dhe Danielsson diskutuan për domosdoshmërinë e bashkëpunimit në mes të institucioneve të Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian, në procesin e zbatimit të obligimeve që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim. Në veçanti të pranishmit diskutuan për rëndësinë e platformës së Agjendës Evropiane të Reformave, platformë kjo në mes të BE-së dhe Qeverisë së Kosovës që pritet të lansohet së shpejti, që ka për qëllim intensifikimin e përpjekjeve për përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA.
Për më shumë zëvendëskryeministri Kuçi, ritheksoj përkushtimin e institucioneve të Kosovës në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, duke potencuar se Kosova është e interesuar që të përmbyllet sa më parë ky proces, duke vënë theks në përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për të përmbushur në tërësi kërkesat që dalin nga ky proces.
Kuçi dhe Danielsson shprehën pikëpamje të përbashkëta që forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër dukurive negative, zhvillimi ekonomik janë me interes jo vetëm për Kosovën, por edhe për Bashkimin Evropian.