Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, së bashku me zyrtarët e “Infrakos”-it, ka vizituar punishten në Stacionin Hekurudhor në Miradi, ku po punohet në projektin e rehabilitimit gjeneral të Linjës së 10-të hekurudhore në fazën e parë Fushë-Kosovë – Han i Elezit – Kufiri me Maqedoninë.
Ai ka thënë se ky projekt nuk ka probleme financiare dhe është i standardeve të BE-së, raporton Ekonomia Online.
Udhëheqësit e projektit prezantuan punën që po bëjnë, teksa u tregua që pandemia Covid-19 kishte pasur gisht në vonesat e projektit.
“Për shkak të Covid-it kemi një dinamikë jo të planifikuar, por po besoj që tani kohëve të fundit me intensitetin dhe dinamikën e punëkryesit nuk do të kemi probleme të mëdha sa i përket dinamikës. Në aspektin financiar ky projekt nuk ka probleme. Është i rëndësisë së veçantë. Shkon prej Fushë-Kosovës në drejtim të Maqedonisë”, shtoi Kuçi.
Ai tregoi se projekti hekurudhor nga Fushë-Kosova në drejtim të Maqedonisë parasheh një numër objektesh që janë të rëndësisë së veçantë.
“Ajo çka është me rëndësi po krijohet një hekurudhë me standarde të BE-së, që ka qenë mëse e nevojshme”, tha Kuçi.