Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka pritur në takim komandantin e Operacioneve Civile në Kuadër të Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Kenneth Deane, të cilin fillimisht e njoftoi për zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë në punën e institucioneve në përmbushjen e prioriteteve qeveritare.
Kuçi theksoi se për Qeverinë e Kosovës zhvillimi ekonomik, fuqizimi i sundimit të ligjit dhe integrimi në Bashkimin Evropian janë shtylla që përmirësojnë mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Zëvendëskryeministri Kuçi e siguroi Deane se përmbushja e kritereve që dalin nga MSA-ja, si dhe finalizimi i procesit të liberalizimit të vizave, janë prioritete për Kosovën. Kuçi gjithashtu falënderoi atë për mbështetjen që Bashkimi Evropian ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë për institucionet e Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij takimi, Deane e potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të EULEX-it me institucionet e Kosovës, duke e theksuar qëllimin e përbashkët për zhvillimin dhe zbatimin e sundimit të ligjit.
“Jam i lumtur që erdha përsëri në Kosovë, si dhe për mundësinë që t’i vizitoj Pallatin Drejtësisë dhe Burgun e Sigurisë së Lartë. EULEX-i do të vazhdojë të ofrojë këshilla për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës në mënyrë që të përforcohen më tej të gjitha agjencitë të cilat e mbështesin zbatimin e ligjit”, tha Kenneth Deane.
Deane do ta vizitojë Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc si dhe Pallatin e Drejtësisë, ku ai do të informohet nga Fejzullah Hasani, kryetar i Gjykatës Supreme.