Kuçi zotohet për zhvillimin e turizmit dhe ndërtimin e komplekseve turistike

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 08:02 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zhvillimi i turizmit, ndërtimi i kompleksit turistik “Gjeravica” dhe “Moronica”, janë disa nga premtimet e kandidatit të AAK-së për kryetar të Junikut, Agron Kuçit.

Për këto premtime, për Kuçin janë reale, teksa shpreson edhe në përkrahjen e Qeverisë Kurti.

Agron Kuçi, i cili garon edhe për një mandat si kryetar thotë për Ekonomia Online, se pos këtyre premtimeve, do të gjejnë përkrahje edhe fermerët, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

“Pavarësisht balotazhit, unë bëj punë të përditshme të punës së kryetarit dhe për gjatë të kësaj fushate unë kam punuar vazhdimisht dhe objektiv kryesor për mua është shërbimi për qytetarin”.

“Edhe në mandatin e ardhshëm e kemi programin qeverisës i cili konsiston në objektiva strategjik siç është zhvillimi i turizmit, zhvillimi i bujqësisë me degë respektive, si dhe investime në infrastrukturën e përgjithshme, qoftë publike apo rrugore, mbi të gjitha objektiv kryesor strategjik është zhvillimi i turizmit në Bjeshkët e Gjeravicës, që nënkupton ndërtimin e kompleksit turistik Gjeravica, pastaj ndërtimi i kompleksit Moronica në Junik, hapja e zyrës për diasporë dhe investitorë të huaj por edhe të brendshëm, si dhe përkrahja e fermerëve, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, u shpreh Kuçi.

Si parakusht për zhvillimin e turizmit, Kuçi e sheh ndërtimin e rrugës Junik-Bjeshkët e Gjeravicës. Ndërkaq për ndërtimin e infrastrukturës në energji elektrike, Kuçi synon marrëveshje me KEDS-in dhe Bankën Botërore.

“Natyrisht që po punohet për rrugën Junik-Bjeshkët e Gjeravicës, e cila është një gjatësi gjeografike prej 21 kilometrash dhe parakushti themelor për zhvillim të qëndrueshëm është ndërtimi i rrugës. Natyrisht që vitin e ardhshëm presim marrëveshjen me KEDS dhe Bankën Botërore që të ndërtohet edhe rrjeti i energjisë elektrike, i cili është një kusht i domosdoshëm për zhvillim të qëndrueshëm”.

“Përmes këtyre investime do të ketë edhe investitorë të huaj apo vendor, që ne mendojmë që përmes partneritetit publiko-privat të ndërtohen kapacitetet e nevojshme turistike”, u shpreh ai, teksa shton se këto premtime janë reale.

Teksa ka folur për punën që i ka kryer këtë mandat, Kuçi thotë se objektivat janë tejkaluar. Ai thotë se pezull ka mbetur vetëm rregullimi i rrugës Junik-Restavicë, përçka fajtor e bën Qeverinë Kurti, për largim nga buxheti, raporton EO.

“Unë dua të jem shumë korrekt dhe i sinqertë se ne i kemi tejkaluar objektivat e mandatit kaluar, në përjashtim të rrugës Junik-Restavicë, e cila ekziston rruga, për të cilën kemi punuar dhe kanë ekzistuar projeksionet buxhetore në qeveritë e kaluara, por me ardhjen e Qeverisë Kurti, është larguar nga lista e prioriteteve”, u shpreh ai.

Për fund, kandidati i AAK-së, i cili synon që të jetë edhe për një mandat në ulësen e kryetarit, premton ndërtimin e qendrës “Unom”, e cila do të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve, përfshirë gastronom, prodhues bujqësor, e cila qendër do të jetë i përhershëm.

Të ngjashme