Infermierët e klinikave të ndryshme në QKUK-së janë të detyruar që përpos Rapid Testit të bëjnë edhe testin PCR, për të dëshmuar se janë të infektuar me Covid.
Lirije Beqiri, koordinatore e infermierisë në QKUK, iu është drejtuar me një shkresë infermierëve nëpër klinika, se vetëm me testin PCR mund të drejtohen tek punëdhënësi se a janë të infektuar nga Sars-Covid-2. Ndërsa për ta konfirmuar se a e kanë përfunduar Covid, sipas njoftimit thuhet se mund të bëhet me test të shpejtë (rapid), dhe koha e karantinimit të jete vetëm pesë ditë.
Për këtë ka reaguar nënkryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Enlirat Duraku, i cili ka thënë se SHSKUK/QKUK ose nuk po i beson stafit të cilët çdo ditë e më shumë po infektohen me COVID-19, ose nuk po i beson Rapid Testit.
“Prej sot nëse rezulton pozitiv në Rapid Test, jeni vetëm i dyshuar për COVID-19 dhe duheni që t’a bëni edhe testin PCR, përndryshe nuk e pranon punëdhënësi.Ndërsa për konfirmim që jeni negativ, mjafton vetëm Rapid Testi, duke mos harruar që koha e karantinimit apo vetëizolimit duhet të shkurtohet në 5 ditë”.
Këtë Duraku e ka cilësuar si “recetë për katastrofë”.
“Pa dyshim se është e rëndësishme që të ruhet shëndeti i infermierëve të tjerë. Ndërsa nëse një infermier rezulton pozitiv në ‘rapid test’ të siguruar nga vetë QKUK-ja, nga të njëjtit nuk konsiderohet valid nga punëdhënësi, atëherë po rrezikohet shëndeti i infermierëve të tjerë” , ka thënë Duraku për Ekonomia Online.