Driton Kuka, trajneri i Kosovës në xhudo, është shprehur tejet i lumtur me rezultatet e fundit të arritura nga xhudistët që ai udhëheq.
Pas garës së fundit në Hagë, ku Kosova me tre garues mori dy medalje, të bronztën me Distria Krasniqin dhe të argjendtën nga Akil Gjakova, Kuka ka treguar planet për garat tjera sivjet.
“Deri në fund të vitit do kemi edhe një garë Masters në Kinë ku do marrin pjesë Distria, Akili dhe Nora! Do i kursej Majlindën dhe Lorianën”, ka shkruar Kuka në Facebook.
Ai ka folur edhe për garën e fundit ku Loriana Kuka, që fitoi dy medalje të arta për pak ditë, nuk arriti të nxjerrë sukses edhe nga Haga. Ka thënë se ajo sivjet ka tejkaluar pritjet.
Kuka ka numëruar më pas sukseset e arritura sivjet nga shumë garues kosovarë sivjet teksa ka shtuar se “garuesit po ia shpaguajnë mundin dhe punën”.
“Grand Prix në Hagë përfundoj me dy medalje dhe Loriana mbeti pa medalje. Loriana pas dy të artave dy javë me radhë realisht e ka pas kohën të pushoj, por ajo sivjet ka tejkaluar pritjet e mia që i kisha në fillim të vitit prej saj! Sivjet në Kampionate Evropiane kemi fituar 6 medalje kurse në Kupa Botërore Grand Slam dhe Grand Prix ma shumë se kurdoherë më parë…
Më duhet t’i numëroj!
Titujt Kampion Evropian sivjet i fituan :
Nora Gjakova 57 kg për të rritura
Akil Gjakova U23 deri 73 kg
Loriana Kuka 78 U23 deri 78 kg
Erza Muminoviq U 18 deri 44 kg
Nënkampion Evropian :
Distria Krasniqi 52 kg për të rritura
Shpat Zekaj U21 deri 100 kg
Medalje në Lojërat Mesdhetare 3 të arta dhe një e argjendtë
Medalja e bronztë në Lojërat Olimpike për të rinj e fituar nga Erza
Rikthimi i Kampiones Olimpike ishte triumfal, sivjet si asnjë vit më parë kemi funksionuar si ekip dhe si ekip asnjëherë s’kemi pas medalje e suksese më shumë!
Momentalisht i kemi 5 Norma Olimpike!
Shkurt e shqip po më shpaguani krejt mundin e punën me ju!” ka shkruar ai.