Ish-anëtari i Vetëvendosjes, Dren Kukaj, thotë se Qeveria Kurti me qasjen ndaj sistemit të drejtësisë po tregon se dëshiron që ta kenë nën kontroll dhe në këtë mënyrë në shërbim.
Kukaj thekson për Ekonomia Online se një kryeministër demokrat i një vendi demokratik, pushtetin e tij direkt e ka për detyrë ta ushtrojë vetëm ndaj vartësve të tij, pra ndaj ministrave të kabinetit të tij qeverisës e jo ndaj instancave të pavarura.
Ai nuk e konsideron kryeministrin si demokratik, duke shtuar se ka tendenca autoritare e që po i intereson që Prokurorinë e shtetit ta kthejë e përdorë kundër kundërshtarëve të tij, qofshin këta pjesë të jetës publike apo jo, duke mos lënë pa përmendur edhe komunitetin e bizneseve.
“Mendoj se më shqetësuese se këto afera që po quhen është qasja e qeverisë ndaj sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor që po vjen në shprehje kur po kemi këso raste që unë mendoj që para se të ekzistojnë për arsye që t’i vejnë në mbrojtje ata persona. Këta po i qasen kësi soji sistemit të drejtësisë që të njëjtin ta kenë nën kontroll, që kurdo që do u cenohet më seriozisht pushteti atë ta vendosin në shërbim të tij. Për të folur më thjeshtë në një vend demokratik ku një politikan është kryeministër e është demokrat për nga bindjet dhe qasja e tij atëherë ai politikan kujdeset që t’i ketë nën kontroll vetëm ministrat e tij, pra vartësit e një politikani demokrat që është kryeministër do duhej të ishin vetëm ministrat e tij. Nuk do duhej t’i interesonin institucionet e pavarura, nuk do duhej t’i interesonin personat kyç nëpër organizata, nëpër institucione të cilat për nga natyra e funksionit të tyre duhet të jenë të pavarura ndaj sistemit apo prej një pushteti politik në një vend demokratik”.
“Nuk është ky rasti me kryeministrin tonë. Kryeministri ynë për fatin e keq të demokracisë së brishtë në vendin tonë nuk është një kryeministër demokratik përkundër që deklarohet në vazhdimësi si i tillë. Ky është një kryeministër që ka tendenca të qarta autoritare dhe të cilit medoemos siç e kemi parë deri më tash po i intereson që t’i vënë kontroll institucionet të cilat nuk do duhej të ishin nën kontrollin e një kryeministri. I tillë është rasti edhe me sistemin e drejtësisë, përkatësisht me theks të veçantë do të thoja organin e akuzës, përkatësisht prokurorinë e shtetit, të cilin ai po dëshiron që me çdo kusht ta vejë në kontroll, që ta vëjë në shërbim të pushtetit të tij, që i njëjti ta instrumentalizojë duke e shfrytëzuar për tua vënë kundër kundërshtarëve të tij, qoftë pjesëtarëve që janë pjesë e jetës publike, por qoftë mbase edhe ndaj komunitetit të bizneseve”, u shpreh Kukaj.
Kukaj shtoi se kushdo që ka bindje dhe vlerëson se demokracia është e rëndësishme duhet të ndihet i shqetësuar për mënyrën se si kjo Qeveri po sillet ndaj institucioneve të drejtësisë dhe se akoma nuk ka reforma në këtë sistem.
Ai tha se shumica e problemeve të qytetarëve nuk po adresohen ani pse kryeministri aktual ka pushtetin më të madh që nga paslufta në Kosovë.
Kukaj gjithashtu tha se ndonëse si PSD kanë adresuar këto çështje, mospërfaqësimi në Kuvend u’a limiton mundësitë në këtë drejtim.
“Pra, ky është rasti dhe mendoj se cdokush që ka njëmend bindje se demokracia në një vend është me të vërtetë e rëndësishme do duhej të ndihej i shqetësuar në mënyrën se si po vepron kjo qeveri karshi institucioneve të drejtësisë. Të kemi parasysh se nëse flasim për sistemin e drejtësisë, dhe dëmi që u shkaktohet nga aktualiteti i tij qytetarëve dhe të drejtave të tyre në rastet më të mëdha nuk vjen nga dështimet që ngjajnë në organin e akuzës përkatësisht të veprës penale. Nëse unë e ti kemi një kontest aktualisht nëse nuk gaboj mesatarja është gjashtë vite për të marrë një epilog vendimi. Nuk ka ndryshuar kjo kohëzgjatje e gjykatave në raport me qytetarët, në mos edhe është shtyrë, pra problemet që njëmend janë probleme me qytetarë nuk po adresohen. Po adresohet vetëm një segment, ekskluzivisht për nevoja të tendencave autoritare të këtij pushteti politik dhe ky nuk është një pushtet politik dosido, është pushteti më i madh politik që e ka pasur një kryeministër që nga paslufta e deri më tash në Kosovë”.
“E i cili në vend që të qëndrojë i interesuar në punën e vartësve të tij, të ministrave të tij, atij çdo ditë i intereson që të vejë në kontroll shumë e më shumë organizata e institucione të cilat për nga natyra duhet të jenë të pavarura nga pushteti politik i një qeverie sociale, përndryshe i humbet kuptimi. Një media që nuk është e pavarur dhe që i shërben vetëm një kryeministri nuk mund ta konsiderojmë kredibile. Një prokuror që është i varur prej një kryeministri nuk mund ta konsiderojmë si një prokuror të njëmendtë si do duhej të ishte. Pra, këto ne po i shohim si zhvillime jashtëzakonisht shqetësuese dhe për të cilat mund të them pa modesti kemi qenë ndër të parët që e kemi ngritur zërin ndaj tyre, mbase kemi mundur të veprojmë edhe më shumë, mirëpo keni parasysh se unë e përfaqësoj PSD-në e që është parti jashtëparlamentare dhe mundësitë tona kanë qenë jashtëzakonisht të limituara në këtë drejtim”, tha Kukaj për EO.