Me gurët e kullës së rindërtuar të Halit Bajramit është e lidhur historia e shekullit njëzet e Lubovecit dhe fshatrave përreth. Dikush ka shkulur gurët e rrënojave, dikush ka nxjerrë gurët e qemerit të derës që t’ua sjellë stërnipave të bashkëluftëtarit të Azem Bejtë Galicës. Kulla është djegur e rrafshuar katër herë nga pushtuesit.
Një herë e shkatërruan osmanlinjtë që kishin marrë teposhtën në fillim të shekullit njëzet në Ballkan. Më 1921 e 1924 e dogjën xhandarët e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Më 1945, partizanët jugosllavë ia futën flakën kullës që ishte fortifikatë e ballistëve që kërkonin bashkim kombëtar. Një dekadë pas nisjes së punimeve që kullën ta çojnë edhe një herë në këmbë, ajo ende s’është e përfunduar. Por janë të vendosur që atë ta shndërrojnë në muze e të tërheqin vizitorë në fshatin kodrinor të Drenicës.
Ditën valle, natën luftë
Dy vëllezërit, Halit e Muharrem Haliti, nisën më 2007 punën për rindërtimin e kullës së stërgjyshit, Halit Bajrami. Luftëtari plak ishte vrarë duke luftuar në radhët e çetës së Azem Bejtës më 15 korrik 1924 pas rrethimit të hekurt prej mbi 1.200 trupash të xhandarmërisë dhe ushtrisë të sjella me tren të posaçëm nga Shkupi në Mitrovicë.