Është shtrirë në një divan, në njërën prej dhomave të asaj që familja e quan “japia e gjatë”. Hasan Mushkolaj (80) po e mbyt kohën me duhan e duke shikuar televizor. Rrëfimi për kujtimet nga e kaluara ia prish rehatinë e momentit, por edhe e kthejnë në nostalgji, shkruan sot “Koha Ditore”.
Për të shkuar te “foleja” e tij duhet kaluar nëpër oborr të Kullës që njihet si e Zymer Himës. Kulla në të cilën ai u lind e u rrit nuk i takon më familjes, meqë trashëgimtari i saj, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, ia kishte shitur shtetit. Tash nën menaxhim e ka Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë, mbi të cilën bie barra edhe e promovimit të këtij monumenti dhe të tjerave në këtë anë.
Kulla trekatëshe gjendet në atë që njihet si pjesa e vjetër të Deçanit. Shteti e ruan si monument kulturor, e thotë se u ndërtua në shekullin XVIII. Hasan Mushkolaj thotë se ndërtimin e saj s’e mbante mend as gjyshi i tij. Në prani të bashkëshortes së tij ai tregon se si kulla ishte bërë shkak për martesën e tyre.
Martesa në emër të kullës
“Përpara shtëpia është matur me pasuri e me fuqinë punëtore të meshkujve. Për shembull, kanë thënë: ‘Hasani është shpi e madhe’”, thotë Mushkolaj, duke u kthyer prapa në kohë.
Me gjithë ngatërresat që mund të ketë pasur rrugës, 80-vjeçari thotë se familja e tij ka qenë fisnike. Dera e kullës ka qenë e hapur gjithmonë, e mysafirët s’janë ndarë kurrë.
“Për çdo natë kemi pasur mysafirë, o miqësi, o kalimtarë”, thotë ai.