Një vend me një pjerrësi të theksuar një njërën anë të rrugës, në mes kalon asfalti i cili e ndanë kodrën e lartë me rrjedhën e lumit Lepenc, i cili gjendet një thellësi të lartë nga rruga.
“Kulla me qeshme” quhet vendi ku mbrëmë u zhdukën dy policë të Republikës së Kosovës pasi vetura e tyre, deri më tani për shkaqe të panjohura, doli nga rruga.
Vetura u gjet, por jo edhe trupat e tyre. Ata po kërkohen për të dytën ditë më radhë.
Por vendi ku ndodhi ky rast e ka një historik jo të mirë. Ishte marsi i vitit 2016 kur të reshurat e shiut shkaktuan shembjen e dheut nga kodrina duke e bllokuar magjistralen Kaçanik – Hani i Elezit.
Pikërisht te “Kulla me qeshme” gurët e mëdhenj bashkë me dheun që kishte rrëshqitur e kishin bllokuar plotësisht për disa orë komunikacionin, raporton Insajderi.
Sipas banorëve të asaj ane, rrëshqitjet e dheut dhe gurëve në atë pjesë janë të përvitshme sa herë që ka reshje shiu duke shkaktuar bllokim të trafikut.
Për më tepër, vendi te “Kulla me qeshme” u riaktualizua pas zhdukjes së dy policëve mbrëmë në lumin Lepenc.
Deri më tani policia nuk i ka bërë të ditura shkaqet e këtij rasti, përveçse ka konfirmuar kërkimin e trupave të tyre.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Bejtush Gashi, ka gjasa që trupat e tyre t’i ketë bartur uji në territorin e Maqedonisë, për të cilën gjë tha se janë në kontakt me autoritetet e atjeshme.
Për zhdukjen e dy policëve kanë reaguar përmes Facebook-ut liderët më të lartë shtetërorë.