Nerimane Kamberi, shkrimtare, profesoreshë e letërsisë, gazetare dhe përkthyese.
Ka botuar libra për të rinj (“Anjesa dhe dr.Simoni”, “Anjesa dhe shtatë pikturat”), një përmbledhje poezish (“Blu-xhinset e grisura”) dhe një përmbledhje tregimesh (“Një ditë ndoshta”), shkruan sot “Koha Ditore”.
Kamberi është personazhi i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”.
Femër. 8 Marsi nuk është larg, e festova me leximin e inserteve të fjalimeve, letrave, biografive të disa femrave të jashtëzakonshme, që kanë lënë emër në histori, në fusha të ndryshme.
Një ndjenjë të mirë kisha, kur me mike të tjera përkujtonim rrugëtimet, betejat, arritjet. Kam thjesht një respekt të thellë për femrën, një respekt për respektin që ka ajo për vete, për respektin që kërkon për veten.
Nga ato lexime doli që ky respekt nuk arrihet gjithmonë lehtë, asgjë në këtë aspekt nuk është e lehtë, as te ne, as askund. Por duhet ta imponojmë me dijen tonë, me pavarësinë tonë, me sukseset tona. Sa mundemi. Në nderim të atyre që nuk munden. Dhe që nuk mundën.