Pamundësia që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, po i mban edhe më tej qytetarët e Kosovës të izoluar.
Qëndrimi zyrtar i Bashkimit Evropian është që Kosova nuk mund ta marrë liberalizimin e vizave derisa ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacion dhe derisa nuk arrin rezultate të prekshme në luftë kundër korrupsionit.
Tema për Demarkacionin po vazhdon që nga viti 2015, kur edhe ishte arritur marrëveshja për këtë çështje. Një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës thonë se me këtë marrëveshje Kosova ka humbur territor prej 8 mijë hektarësh, ndërkohë që të tjerët konsiderojnë se Marrëveshja për demarkacionin është bërë në mënyrë të duhur dhe se ajo duhet të ratifikohet. Marrëveshjen e kanë mbështetur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Qeveria e Kosovës të martën e ka proceduar këtë marrëveshje Kuvendit të Kosovës, por duke ia bashkangjitur edhe raportin e Komisionit të ri Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, e cila ka konstatuar që, megjithatë, me këtë marrëveshje, Kosova ka humbur territor.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në vend, ka deklaruar se do ta mbështetë ratifikimin e Marrëveshjes të vitit 2015, me ç’rast, siç është thënë, do të përfundonte izolimi i Kosovës dhe do të mundësohej liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian.
Partneri tjetër i koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, lider i së cilës është kryeministri Ramush Haradinaj, me 9 deputetët e saj në Kuvend, po e kundërshton marrëveshjen dhe zoti Haradinaj ka theksuar se Komisioni e ka vërtetuar që Kosova ka humbur territor.
Kundër Marrëveshjes për demarkacion është shprehur edhe Nisma për Kosovën, gjithashtu një prej partnerëve të koalicionit qeverisës, e cila në Kuvendin e Kosovës ka 6 deputetë.
Marrëveshjen po e kundërshton edhe subjekti opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, e cila në Kuvend i ka 32 deputetë.
Derisa çështja e Demarkacionit të mos zgjidhet, qytetarët e Kosovës do të presin edhe më tej, me muaj të tërë, për takimet e caktuara në ambasadat evropiane në Prishtinë, e më pas, në diell e në borë, në radhë, për t’i dorëzuar dokumentet për viza. Në “dokumente”, përveç atyre personale, përfshihen edhe dëshmitë për posedimin e mjeteve të mjaftueshme financiare, dëshmia që në Kosovë janë në marrëdhënie të sigurt të punës dhe të ngjashme.
Megjithatë, një numër i madh i udhëheqësve shtetëror, i deputetëve, por edhe i njerëzve me funksione të larta, nuk e kanë të nevojshme pritjen në radhë për viza, sepse kanë siguruar shtetësinë e Shqipërisë dhe pasaportat, për të cilat nuk vlen regjimi i vizave me Bashkimin evropian. Në mesin e tyre janë edhe ata që po e kundërshtojnë ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion.
Përmes dekretit të Presidentit të Shqipërisë, shtetësia u është ofruar një numri të madh të politikanëve nga Kosova.
Në muajin prill të këtij viti, shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij, Anita, e më pas edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.
Më herët, shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, anëtarët e udhëheqjes dhe deputetët e kësaj partie: Albin Kurti, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, Glauk Konjufca, Liburn Aliu, si dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Gjithashtu, shtetësinë e Shqipërisë, më herët, e ka marrë edhe deputeti i këtij subjekti politik nga legjislatura e kaluar, Hydajet Hyseni. Deputetë të caktuar të këtij subjekti politik kanë pasaporta të vendeve të ndryshme evropiane.
Në qershor të këtij viti, shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi dhe bashkëshortja e tij, Fatmirja.
Shtetësinë e Shqipërisë e ka edhe deputetja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, deputeti i kësaj partie Arben Gashi dhe ish-deputeti dhe anëtari i LDK-së, Sabri Hamiti.
Shtetësinë e Shqipërisë e ka marrë edhe vëllai i zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, Selim Pacolli, i cili në zgjedhjet lokale ishte kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës dhe më pas, e ka mbështetur kryetarin e zgjedhur të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin nga Lëvizja Vetëvendosje. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, gjithashtu ka shtetësinë e Shqipërisë. Kohë më parë, shtetësinë e Shqipërisë e ka marrë edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini.
Sikurse politikanët, shtetësinë e Shqipërisë e kanë siguruar edhe personalitetet tjera që bartin funksione të larta. Në mesin e tyre janë: kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, shefi i Njësisë për luftë kundër kriminalitetit ekonomik, Nazim Sahiti, drejtori ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, drejtori i Agjencisë Kosovare për Privatizim, Ekrem Hajdari, si dhe mjaft të tjerë.
Tash së voni, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga homologu i tij nga Shqipëria, Ilir Meta, që t’iu mundësohet qytetarëve të Kosovës, që përmes procedurave të përshpejtuara të aplikojnë për shtetësi të Shqipërisë, duke pasur parasysh që heqja e regjimit të vizave për Kosovën është e pasigurt.
“Pasi që gati se të gjithë zyrtarët e institucioneve të Kosovës, familjet e tyre, deputetët, ministrat, zyrtarët komunal, njerëzit nga shoqëria civile dhe mediet e kanë siguruar shtetësinë e Shqipërisë, mendoj që nuk është vonë që edhe qytetarëve të rëndomtë t’iu mundësohet kjo”, pati thënë Thaçi.
Meta i ishte përgjigjur se “nuk është zgjidhje që të merret shtetësia e Shqipërisë”, por që Kosova të tejkalojë problemin e izolimit.
Rregullat aktuale të Shqipërisë janë të tilla që në rast se shtetasi i Kosovës dëshiron të marrë shtetësinë e Shqipërisë, duhet që kërkesën t’ia drejtojë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, me shpjegimin se për çfarë arsye e kërkon shtetësinë.
Bashkë me këtë, duhet që të dorëzojë edhe certifikatën nga libra amzë e të lindurve, lejen për qëndrimin në Shqipëri dhe dëshminë se ka jetuar në një adresë në Shqipëri të paktën për tri vjet. Sipas nevojës, kërkohet edhe vërtetimi për dëshmimin e prejardhjes shqiptare.
Shtetësia e Shqipërisë merret me dekretin e Presidentit të atij vendi. Është e sigurt që gjasat janë të vogla që politikanët e Kosovës, të cilët kanë marrë shtetësinë e Shqipërisë, të kenë jetuar në një adresë shqiptare, të paktën për tri vjet.