Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka hapur rast hetimi ndaj menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës në lidhje me shtesat e larta, mëditjet dhe shpenzimet në udhëtime jashtë vendit.
Burime të gazetës brenda Rektoratit kanë bërë të ditur se për këtë çështje po hetohen menaxhmenti i lartë në Rektorat dhe disa dekanë të njësive akademike të UP-së, shkruan sot “Koha Ditore”.
Agjencia Kundër Korrupsionit e ka konfirmuar se ka nisur rast hetimi në UP, por nuk ka përmendur emrat e atyre që janë subjekt i hetimit. Nga ana tjetër, Rektorati i Universitetit të Prishtinës përmes një përgjigjeje të shkurtër me shkrim ka thënë se nuk është në dijeni për një gjë të tillë.
“Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës nuk ka pranuar ndonjë informacion nga Agjencia Kundër Korrupsionit se është nisur ndonjë hetim për çështjen për të cilën ju keni parashtruar pyetjet”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.