Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka paralajmëruar veprime në përputhje me legjislacionin në fuqi sa i përket vendimit për rritje te pagave, i marrë nga Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit e “obligon” atë që të ngrejë kallëzim penal ndaj kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të Qeverisë, pasi që në opinionin e saj kjo agjenci ka konstatuar se është vepruar në kundërshtim me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.
“Çdoherë kur agjencia ka dyshim të arsyeshëm se me shkeljen e dispozitave të këtij ligji ka elemente të ndonjë vepre penale, detyrohet që të paraqesë kallëzimin penal në Prokurorinë kompetente”, thuhet në nenin 21 të këtij Ligji. “Në lidhje me këtë çështje, Agjencia kundër Korrupsionit do të veprojë në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në një përgjigje të AKK-së për gazetën.