Qeveria nuk është treguar e prerë nëse do t’i shkojë deri në fund përcaktimit të vënë në programin legjislativ se projektligjin për forcat e armatosura do ta miratojë më 31 nëntor të këtij viti, shkruan sot Koha Ditore.
Vizita e fundit e zëvendës/sekretares së përgjithshme të NATO-s, Rose Gottemoeller, ka stopuar veprimet e institucioneve të përfshira në këtë proces – Qeverisë dhe Presidencës.
Derisa në fillim të vitit presidenti Thaçi thoshte se është e pamundur të bindet Lista Serbe për t’i votuar ndryshimet kushtetuese, tani në Presidencë kanë folur për përpjekje shtesë që të binden komunitetet pakicë. Burime të gazetës kanë thënë se zyrtarja e lartë e NATO-s, Gottemoeller javën e kaluar ua ka bërë të qartë udhëheqësve se nuk mbështesin ndryshimet ligjore dhe se “çdo veprim i njëanshëm në lidhje me FSK-në do ta vërë në pikëpyetje bashkëpunimin me NATO-n në të ardhmen”.