Pakënaqësi të shumta ka nxitur një vendim i rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, i nxjerrë dy ditë më parë për zhvendosjen e një pjese të stafit të administratës qendrore në një hapësirë jashtë Rektoratit.
Sipas vendimit që e posedon gazeta, personeli i administratës qendrore, përkatësisht zyrtarët e zyrës ligjore, menaxheri i personelit, drejtori i zyrës për çështje akademike si dhe zyrtarët e zyrës për çështje akademike, kanë qenë të obliguar që të mërkurën të dalin në zyrat e katit përdhese të aneksit të Fakultetit të Filologjisë, shkruan Koha Ditore.
Megjithatë, asnjë nga 7 punëtorët që u është kërkuar të dalin në ato zyra, të mërkurën dhe të enjten nuk kanë pranuar ta zbatojnë vendimin. Kjo meqë po konsiderojnë se në ato hapësira nuk ka kushte të përshtatshme për punë.
Dy nga personat që sipas vendimit të rektorit është dashur të zhvendosen kanë folur në kushte anonimiteti me arsyetimin se menaxhmenti i Universitetit mund t’iu hakmerret. Njëri nga ta, vendimin e rektorit Dema e ka quajtur arbitrar dhe të padrejtë ndaj tyre.