Kupina: Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion

Prishtinë | 06 Jan 2026 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse ende nuk ka asgjë zyrtare, megjithatë është raportuar se Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. E nga Presidenca kanë bërë të ditur se nuk kanë informacion për verifikim zyrtar

Megjithatë Bekim Kupina, këshilltari i Presidentes Vjosa Osmani ka thënë se ajo mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion që është i bazuar në pavarësi dhe paanshëmri, por jo në fushata njollosjesh e për të cilat thotë se dihet mirëfilli pse po ndodhin.

“Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhi”, ka thënë Kupina per rtv21.

Kujtojmë që “Vox Kosova” ka raportuar të hënën se Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në raportim të tyre thuhet se Agjencia ka gjetur dallime të theksuara në deklarimin e saj të pasurisë ndërmjet viteve 2024 dhe 2025.

E burime të Vox brenda këtij institucioni kanë konfirmuar se procedura ka nisur pasi janë vërejtur dallime në sasinë e pasurisë që presidentja kishte deklaruar në formularët e deklarimit të pasurisë për zyrtarët publikë.

Ndryshimet lidhen kryesisht me rritjen e kursimeve, si dhe me shtimin e shumës së parave të gatshme të deklaruara.

Në dokumentet e dorëzuara për vitin 2025 vërehen lëvizje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, çka ka nxitur institucionin përgjegjës të ndërmarrë verifikime shtesë, ashtu siç parashihet me ligj.

Osmani, e cila shpesh përmendet në opinionin publik për standardin e saj të jetesës, ka blerë një shtëpi në një lagje luksoze në periferi të Prishtinës.

Por ajo ka edhe shumë patundshmëri të tjera, siç janë pronat në Australi, ku vetëm një shtëpi figuron me vlerë mbi gjysmë milioni euro.

Po ashtu, vitin e kaluar, në deklarimin e pasurisë, ajo ka deklaruar se bashkë me bashkëshortin posedojnë edhe një banesë në Prishtinë, si dhe tokë dhe një shtëpi tjetër në Australi.

Të ngjashme