I gjithë aktiviteti politik i Lëvizjes Vetëvendosje që prej themelimit ka qenë i bazuar në nevojën për masa reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Paradoksalisht, sot që LVV është në pushtet, Qeveria nuk e sheh zgjidhje reciprocitetin me Serbnë. Para se Albin Kurti të vinte në pushtet për herë të parë, reciprociteti ishte zotimi më i përsëritur i tij. Edhe para zgjedhjeve të fundit, ai pati thënë se reciprociteti do të ishte çështje ditësh apo javësh, e assesi çështje muajsh se kur do të vendosej pasi ai të ulej edhe njëherë në karrigen e kryeministrit. Këto deklarata Kurti i pari bërë në paraqitjen e fundit publike të tij në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme paralamentare të 14 shkurtit.
Që pas rikthimit në pushtet, kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij nuk kishin datë për vënien e reciprocitetit me Serbinë. Për këtë çështje, Kurti njëherë u rrëzua, e u kthye në pushtet me mbi 50% të votave, me zotimin se në raport me Serbinë do ta rikthejë reciprocitetin. Por sot, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se nuk e sheh reciprocitetin si zgjidhje të problemeve.
“Kosova nuk është e përfaqësuar mirë (në iniciativa rajonale), Kosova shpeshherë ka sfida duke ditur që kemi një shtet fqinj që gjithmonë i pengon nënshkrimi i Republikës së Kosovës. Por ne së bashku, me bashkëpunimin tonë, do të punojmë që të jemi konstruktivë me të gjitha shtetet fqinje pavarësisht brengave që kemi, sidomos me një nga shtetet fqinje që është kryesore. Nuk kam dashur që të sjellë menjëherë masa të reciprocitetit me asnjë shtet fqinj, jam e interesuar të zgjedhim problemet përmes mekanizmave rajonalë që i kemi tani, duke filluar nga CEFTA, nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim dhe mekanizma të tjera që mund të na ndihmojnë për zhvillim dhe adresim të të gjitha sfidave në aspektin rajonal”, deklaroi Hajdari.
Kurti e konsideronte reciprocitetin pikë fillestare në dialogun me Serbinë
Pas fitores së madhe në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i kishte thënë agjencisë franceze të lajmeve, AFP se dëshiron t’u japë drejtim të ri bisedimeve me Serbinë, për t’i vendosur të dyja palët në pozita të barabarta.
Në qershor, Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për ta rinisur dialogun e bllokuar. Jo shumë javë më parë, ai thoshte se Beogradi premton njohjen e Kosovës në fund të negociatave, por kërkon koncesione maksimale ndërkohë. Për këtë shkak, ai përmendte reciprocitetin si pikënisje.
“Ju merrni sa më shumë që mundeni, ndërsa premtoni një fund që nuk do të ndodhë”, thoshte ai. “Kjo është arsyeja përse reciprociteti, barazia nuk mund të jetë rezultati përfundimtar (i bisedimeve), duhet të jetë pika fillestare. Dhe, njerëzit duhet të jenë përfituesit përfundimtarë”, shprehej Kurti.
Qeveria e parë e Kurtit, që zgjati vetëm pak ditë, ishte rrëzuar për shkak të presionit ndërkombëtar për ta hequr masën e reciprocitetit. LDK-ja kishte inicuar mocion për ta rrëzuar Qeverinë që e udhëhiqte bashkë me LVV-në, duke e akuzuar Kurtin se nuk duhej të ngulte këmbë për të mos e hequr reciprocitetin, pasi kjo e irritonte administratën e mëparshme të SHBA-së dhe përfaqësuesin e saj për dialogun, Richard Grenell.
Kurti nuk kishte dëgjuar atëherë. Kur Qeveria Hoti pas tij e kishte hequr reciprocitetin, lideri i LVV-së kishte thënë se ajo ishte “edhe e paligjshme në Kosovë, edhe në shërbim të Serbisë”.
“Edhe të shtunën punojnë e mbajnë mbledhje vetëm dhe vetëm që ta heqin reciprocitetin ndaj Serbisë. Kosova ka panumër probleme sociale dhe ekonomike, por ato nuk mund të kenë prioritet krahasuar me kërkesat e Serbisë. Kjo pra është qeveria e paligjshme e Kosovës”, shkruante Kurti ndër tjerash.
Por tash, kryeministri dhe ministrja Hajdari janë pajtuar se reciprociteti nuk nevojitet.