Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të martën ka certifikuar 18 kryetarë të komunave, të cilët u zgjodhën në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Pa u certifikuar kanë mbetur edhe tri komuna. Në dy prej tyre po shqyrtohen ankesat, ndërsa në një tjetër ka proces në Gjykatën Supreme.
Sipas Ligjit për vetëqeverisjen lokale, kryetarët e zgjedhur të komunave mund ta marrin mandatin brenda 15 ditësh, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe kuvendeve komunale, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Kuvendi i komunës e mban mbledhjen inauguruese brenda pesëmbëdhjetë ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Mbledhja inauguruese e kuvendit të komunës thirret nga kryetari (aty ku është zgjedhur) brenda pesëmbëdhjetë ditësh nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet në pikat 42.1 dhe 42.2 të nenit 42 të Ligjit për vetëqeverisjen lokale.
Ndërkaq në rast se kryetarët e zgjedhur dështojnë ta japin betimin brenda afatit prej një muaji nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, e humbin mandatin.
“Kryetari që dështon ta japë betimin brenda një muaji nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve e humbet mandatit”, thuhet në pikën 57.2 të nenit 57 në Ligjin për vetëqeverisjen lokale.
Nga zgjedhjet lokale në 38 komunat e Kosovës, janë certifikuar 38 Kuvende Komunale dhe 35 kryetarë të komunave.
Tri komunat kandidatët e të cilave nuk janë certifikuar ende janë Prizreni, Kllokoti dhe Dragashi. Kjo pasi aktualisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë në procedurë të shqyrtimit dhe vendosjes dy ankesa që kanë të bëjnë me Prizrenin dhe Kllokotin, ndërsa ankesa për Dragashin është në proces në Gjykatën Supreme.
Raundi i parë i zgjedhjeve lokale është mbajtur më 17 tetor të këtij viti. Nga ky raund, 21 komuna kanë shkuar në balotazh.
Votimi për raundin e dytë në 21 komuna të vendit u bë më 14 nëntor.