Sulmi ndaj një gruaje të pafajshme, me aq brutalitet fizik e mediatik, flet qartë për probleme serioze etike dhe teknike në fushën e gazetarisë. Këto sulme jo profesioniste nga fusha e gazetarisë online do të vazhdojnë të ndodhin edhe në të ardhmen, nëse nuk imponohet një edukim medial nga ana e vet pronarëve, redaktorëve dhe gazetarëve. Rrjetet sociale vazhdojnë ta infektojnë gazetarinë e shëndoshë online, e cila ndonëse me numër të kufizuar për nga korrektësia e objektiviteti, vazhdon të jetë e pranishme. Gazetarët, patjetër duhet t`i përmbahen maksimës së njohur ”hulumto, verifiko dhe raporto”, të ruajnë etikën dhe kodet e saj, të ruajnë atë pak kredibilitet dhe ndershmëri profesionale në gazetari.
“Kur bie telefoni në mesnatë, zjarrfikësit i duhet vetëm të veshë pantallonat dhe të shuaj flakët. Kurse gazetari duhet t`u tregojë një milion vetave se kush e ndezi shkrepësen dhe pse”. (Mort Rosenblum, Associated Press)
E mora jo rastësisht këtë citat, sepse mendoj se është shumë aktuale në këto sulmet e fundit ndaj një gruaje rome dhe jo vetëm asaj. Fitili nxitës ishin rrjetet sociale të shumta dhe të pakontrolluara. Ishin rrjetet falso ato që i dhanë publicitet negativ dhe shkatërrimtar një rasti, i cili pastaj si lajm i rremë u bartë si rrufeja tek portalet kryesore.
Nuk dëshiroj të minimizojë përgjegjësinë që kanë shumica e portaleve që kanë transmetuar një lajm kaq jo etik dhe kaq jo profesional, por dua që të vë në spikamë mënyrën se si portalet shërbehen nga rrjetet sociale, mënyrën se si infektohen ose viktimizohen nga këto rrjete sociale.
Krejt filozofia e gazetarisë hulumtuese dhe profesionale qëndron tek e vërteta. Pra, si ta themi të vërtetën, si ta bindim publikun dhe lexuesin që jemi objektiv dhe jemi etik në atë që themi. Kjo është lufta e çdo mediumi dhe e çdo gazetari të sinqertë, të ndershëm dhe të përkushtuar.
Në këtë rast, dëmi nuk është vetëm fizik, por edhe dëm etik, madje i pariparueshëm. Nëse hyni nëpër rrjete sociale, shumica e komentuesve etiketojnë dhe fyejnë portalet, pra gazetarinë online e cila dallon shumë në thelb nga rrjetet sociale.
Në facebook as që pritet diçka më mirë, meqenëse niveli i atyre që komentojnë në fushën e medias, është periferik, por i kushtueshëm për portalet, sepse në pyetje është kredibiliteti dhe besueshmëria e tyre.
Ku gabuan portalet?
E di që mund të ketë mospajtime edhe nga kjo kategori e medias, por ne duhet të pranojmë gabimet kur rrëshqasim profesionalisht. Tek e fundit gabimet mund të jenë njerëzore dhe mund të korrigjohen, kur distancohesh prej tyre me kohë.
Viktima janë kryesisht portalet që nuk i verifikojnë lajmet nga rrjetet sociale, por i marrin dhe i publikojnë si të vërteta. Shpesh dëgjoj nga kolegët teksa arsyetohen se ne po e citojmë burimin. Ju lutem raportimi për situatat e ndjeshme, situatat e jashtëzakonshme, raportimi për krimet, dhunën etj kërkon shumë përgjegjësi, kërkon shumë llogaridhënie dhe verifikim. Edhe manipulimi i fotografisë ishte diçka e veçantë dhe sikur e porositur.
Të kthehemi tek çështja kryesore dhe ajo që po më shqetëson shumë dhe thjesht po ndihem në siklet kur po shoh e vërej gabime amatoreske.
Gjithmonë kam kërkuar dhe kam qenë ithtar i rregullimit të portaleve dhe tani fatmirësisht e kemi KMSHK, kemi kodet, kemi kriteret se çka duhet dhe çka nuk duhet të botojnë portalet. Por, është një gabim teknik i cili mund të zbatohet në momentin e regjistrimit të një portali.
Jo gjithkush mund të bëhet pronar i një portali. Kam insistuar dhe propozuar që në momentin e regjistrimit të një portali, qoftë si biznes individual, kriter kryesor të jetë fakulteti i mbaruar i gazetarisë për themeluesin e portalit. Pse e them këtë dhe pse kjo është e domosdoshme? Një student që ka kaluar nëpër filtrat akademik dhe ka ndjekur ligjëratat e nevojshme në fushën e etikës, mënyrën e raportimit nga të gjitha situatat, ai asnjëherë nuk do të bëjë gabime fillestare që do ta dëmtojnë në thelb mënyrën e raportimit.
Pra jo të gjitha portalet kanë gabuar. Viktimë ranë portalet që u nxituan pas një lajmi të pa verifikuar. Amerikanët e kanë një thënie: ”Edhe kur nëna të thotë të dua, prapë verifikoje”. Pra mos ngurroni, mos hezitoni të bëni përpjekje që të merrni lajmin e duhur, lajmin e saktë e të vlerësuar nga të gjitha palët, sepse kredibiliteti i gazetarit ndërtohet vështirë, ndërsa rrënohet shumë lehtë dhe shpejt.
Shpejtësia e botimit të lajmeve, është sëmundje për shumë portale dhe kjo vështirë se mund të eliminohet aq shpejt. Tek e fundit, më mirë të jesh i dyti, por i saktë, se sa i pari dhe i pa saktë.
Në Amerikë, shtylla kryesore e gazetarisë është raportimi i fakteve të verifikueshme dhe ky është çelësi kryesor që duhet të zbatohet edhe tek ne dhe që po luftoj tash e sa kohë për këtë. Thjesht, raporto në mënyrë objektive dhe të dukshme dhe bëhu bindës ndaj burimeve dhe mos i keqpërdor apo mos i keqinterpreto ato.
Deniss McQuail, profesor i Universitetit të Amsterdamit, njëri nga teoricienët më të njohur të komunikimit masiv modern, etikën gazetareske e ka definuar me këto atribute:
– vërtetësia dhe saktësia
– paanshmëria dhe ndershmëria
– respekti i individualitetit dhe privatësisë
– pavarësia nga interesat e caktuara
– përgjegjësia ndaj shoqërisë dhe të mirave shoqërore
– respektimi i ligjit
– morali, bontoni dhe shija e mirë.
Ka shumë rëndësi që në rastet e tilla, pra të raportimit siç ndodhi me gruan rome, mediat të mos shfaqin paragjykime apo emocione. Janë tre minuta kohë që ju duhen për ta verifikuar një ngjarje sot në Kosovë, hiq më shumë. Jetojmë në një kohë kur teknologjia është shumë e avancuar dhe vetëm se duhet të dimë si ta përdorim mënyrën e teknikave të raportimit.
Kam përcjellë edhe raste të vdekjeve, vrasjeve apo vetëvrasjeve, ku portalet dhe gazetat kanë bërë skandale. Në rastin e Hamdi Sopës, p.sh., kam hasur në një titull jashtëzakonisht të çuditshëm. ”Hamdi Sopa është vrarë dhe pikë”.
Shumë është e dobishme dhe e shëndetshme që gazetari në teren të mos rrëmbehet nga emocionet që krijon vet ngjarja, por gjatë tërë kohës të qëndrojë i paanshëm dhe i drejtë me palët. Gjithmonë është e këshillueshme që t`u japim hapësirë palëve për të cilat jemi duke bërë lajmin, që ato të thonë qëndrimet e tyre dhe në veçanti të shmangim gjuhën e urrejtjes.
Gazetaria pas “like” po dëmton gazetarinë dhe shoqërinë
Shumë nga komentuesit e rrjeteve sociale, kur po ndodhin këto skena, zakonisht fajin e adresojnë te portalet, me arsyen se gjithçka po bëhet për një “like”.
Nuk e përjashtoj edhe këtë mundësi, sepse shpejtësia e lajmeve në portale ka disa të mira, por edhe anët negative.
Fakti që botues e redaktor mund të jetë çdokush në brendësi të një portali, krijon edhe paqartësi në raportim apo besueshmëri të lajmit në aspektin etik.
Thjesht, skandalet e kësaj fushe vijnë pikërisht nga kjo kategori që prioritet mund ta ketë garën për klikime. Kjo kategori dëshmon se synim kryesor ka ndjekjen e “like”-ve si mënyrë për të arritur audiencën dhe realizuar anën financiare.
Dhe këtu kemi pastaj një defekt të pranishëm ku për punën e portaleve flasin njerëzit më jo kompetentë të mundshëm. Një gazetar, redaktor, ligjërues, profesor që nuk ka përjetuar punën e të bërit gazetari ditore online, ai e ka të vështirë ta kuptojë e lëre më të flas për median online. Tek ne të gjithë fatkeqësisht bëhen ekspertë, studiues të medias online.
Në mungesë të redaksive profesionale, në mungesë të redaktorëve të shkolluar e ngritur profesionalisht dhe në mungesë të gazetarëve nga tereni, po krijojmë dhe po rrezikojmë mënyrën e të bërit gazetari profesionale, në fakt po rrezikojmë vet ekzistencën e medias profesionale.
Vetërregullimi për median online ekziston, vetëm duhet ta zbatojmë në praktikë
Është Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), i cili prej disa vitesh merret me vetërregullimin e portaleve dhe kjo ka qenë një dritare e mirë dhe një udhëzues i dobishëm për ato portale që i kanë pranuar kodet e etikës. Vetë fakti që ka ende portale që nuk dëshirojnë të jenë nën ombrellën e KMSHK, tregon qartë se ato dëshirojnë anarki në këtë profesion dhe papërgjegjësi ndaj publikut.
Ndoshta nuk është bërë më e mira, por janë trajtuar qindra ankesa e raste interesante dhe serioze nga KMSHK. Pra rregullat i kemi, kriteret janë, kodet ekzistojnë dhe na mbetet që me ndershmëri profesionale, kredibilitet më të shtuar dhe rritje e edukim medial për ta bërë më të pranueshme dhe më të dobishme punën tonë të përditshme. Duhet ta duam këtë profesion më shumë se veten, ta respektojmë jetën private e shoqërore të secilit prej nesh, por mos të dorëzohemi në asnjë mënyrë në luftimin e të këqijave, dukurive negative, devijante, krimit të organizuar, mafias politike etj.
…………………..
Autori është gazetar shumëvjeçar dhe ligjërues në UBT në degën e medias dhe komunikimit