Dëmtimi i monumenteve të UÇK-së në Kaçanik dhe Çyqavicë nuk duhet parë vetëm si akt vandalizmi ndaj simboleve të luftës çlirimtare, por edhe si një indikator që mund të lidhet me klimën e tensionuar politike dhe informative që është krijuar në Kosovë gjatë viteve të fundit.
Diskursi politik i ashpërsuar ka prodhuar gradualisht perceptimin se në Kosovë ekzistojnë dy kampe të kundërta: ata që janë “pro UÇK-së” dhe ata që janë “kundër UÇK-së”. Në realitet, ky është një konstrukt artificial dhe i rrezikshëm. Pavarësisht dallimeve politike, qytetarët e Kosovës mbeten mirënjohës ndaj sakrificës së pjesëtarëve të UÇK-së dhe rolit të tyre në çlirimin e vendit.
Problemi lind kur kjo narrativë e rreme fillon të dominojë hapësirën publike. Ajo krijon terren të favorshëm për aktorë të jashtëm, veçanërisht për strukturat serbe të inteligjencës dhe propagandës, të cilat historikisht kanë shfrytëzuar ndarjet e brendshme për të realizuar operacione psikologjike dhe operacione jo-kinetike kundër Kosovës.
Operacionet jo-kinetike nuk synojnë shkatërrimin fizik të kundërshtarit. Qëllimi i tyre është të ndikojnë perceptimin publik, të krijojnë mosbesim, të thellojnë polarizimin dhe të manipulojnë opinionin shoqëror. Në këtë kontekst, dëmtimi i lapidarëve, grafitet provokuese apo aktet simbolike kundër monumenteve mund të përdoren për të forcuar perceptimin se në Kosovë po zhvillohet një konflikt i brendshëm rreth trashëgimisë së luftës.
Historia na ka treguar se shërbimet serbe kanë përdorur metoda të ngjashme edhe në të kaluarën. Një nga rastet më të njohura mbetet ai i vrasjes së të rinjve serbë në lokalin “Panda” në Pejë në vitin 1998. Për vite me radhë, ky krim iu atribuua shqiptarëve dhe UÇK-së, ndërsa më vonë vetë autoritetet serbe pranuan publikisht se nuk kishte prova që shqiptarët ishin autorët e sulmit. Rasti mbetet një shembull klasik i përdorimit të ngjarjeve të dhunshme për qëllime propagandistike dhe manipuluese.
Për këtë arsye, çdo deklaratë politike që përdor gjuhë përjashtuese, akuzuese apo polarizuese rreth UÇK-së duhet trajtuar me përgjegjësi të lartë. Sa më shumë të thellohet narrativa e ndarjes, aq më shumë hapësirë krijohet për operacione të ndikimit nga aktorë të jashtëm që kërkojnë të paraqesin Kosovën si një shoqëri të përçarë dhe në konflikt me vetveten.
Mbrojtja e trashëgimisë së luftës nuk realizohet duke krijuar kampe kundërshtare brenda shoqërisë, por duke ruajtur unitetin kombëtar dhe duke mos lejuar që narrativat e imponuara nga jashtë të shndërrohen në realitet politik. Në fund të fundit, objektivi i operacioneve psikologjike nuk është dëmtimi i një monumenti. Objektivi i tyre është dëmtimi i besimit, unitetit dhe kohezionit shoqëror të një shteti.
Prandaj, institucionet e sigurisë duhet t’i trajtojnë këto incidente jo vetëm si raste të mundshme vandalizmi, por edhe në prizmin e operacioneve të ndikimit dhe luftës hibride, ku simbolika shpesh ka peshë më të madhe sesa vetë dëmi fizik i shkaktuar.