Ditëve të fundit është rikthyer debati për terminalet doganore, shpesh i shoqëruar me etiketime politike. Megjithatë, kjo është një çështje që duhet trajtuar mbi baza ekonomike dhe financiare, me transparencë të plotë.
Modeli i mëparshëm funksiononte përmes operatorëve privatë, ku për çdo kamion që hynte në terminal paguhej një tarifë prej 40 euro. Duhet theksuar se një pjesë e konsiderueshme e transportit të mallrave për import dhe eksport në Kosovë realizohet nga kompani të huaja turke, greke, maqedonase, boshnjake, kompani nga vende të tjera evropiane, si dhe kompani serbe.
Është e rëndësishme të kuptohet se kjo tarifë nuk përfaqësonte fitim të pastër ku nga 40 euro buxheti i shtetit tonë përfitonte rreth 12 euro. Nga ajo mbuloheshin TVSH-ja, tatimi në fitim dhe detyrime të tjera ligjore, si dhe një sërë shpenzimesh operative, ndër të cilat:
* mirëmbajtja e terminaleve;
* pagat e punonjësve;
* sigurimi i objekteve;
* administrimi dhe kontrolli i hyrje-daljeve;
* ngarkim-shkarkimi gjatë procedurave doganore;
* energjia elektrike, uji, pastrimi dhe shërbimet e tjera mbështetëse.
Kjo nënkupton se aktiviteti ekonomik gjeneronte jo vetëm shërbim për operatorët, por edhe të hyra për buxhetin përmes tatimeve dhe TVSH-së.
Bazuar në të dhëna zyrtare shtrojmë pyetje:
* A janë rritur apo janë ulur të hyrat neto për buxhetin e Kosovës?
* Cilat janë kostot reale të menaxhimit shtetëror, përfshirë pagat, mirëmbajtjen, qiratë dhe shpenzimet operative?
* A është modeli aktual më efikas dhe më fitimprurës sesa ai i mëparshmi?
* A ka analiza financiare që dëshmojnë se ndryshimi ka sjellë përfitim më të madh për shtetin?
Po ashtu, mbetet e rëndësishme të analizohet se si trajtohen kompanitë e huaja të transportit dhe nëse sistemi aktual siguron një shpërndarje të drejtë të kostove që lidhen me përdorimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike.
Në fund, kjo nuk duhet të jetë një betejë mes “privates” dhe “shtetit”, por një debat mbi atë se cili model krijon më shumë vlerë për qytetarët dhe buxhetin e Kosovës. Çdo vendim duhet të matet me rezultate konkrete duke ditur sa të hyra gjeneron, sa kushton për t’u administruar dhe sa kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit.
Kosova ka nevojë për politika ekonomike të mbështetura në analiza financiare, transparencë dhe efikasitet, sepse vetëm kështu mund të sigurohet që interesi publik të mbrohet në mënyrën më të mirë.