Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, në një intervistë për Ekonomia Online, ka kritikuar bashkëqeverisjen e LDK-së dhe PDK-së në kryeqytet, duke thënë se ky bashkëpunim daton që nga mandati i parë i kryetarit Përparim Rama dhe se, sipas tij, ka dëmtuar interesin e qytetarëve.
Ndërsa, ka thënë se edhepse LDK-ja ka fituar në zgjedhjet komunale, PDK-ja jo vetëm që është pjesë e koalicionit të tyre, por është edhe subjekti më i fuqishëm politik.
“Ky bashkëpunim i Përparim Ramës me PDK-në daton prej mandatit të parë. Siç e dimë, edhe prej mandatit të parë kanë qenë bashkë, pastaj ka ndodhur një krisje, e cila u sanua dhe përsëri u bënë bashkë gjatë balotazhit. Ndërkohë që sot në Prishtinë, nga fuqia politike, PDK-ja jo vetëm që është pjesë e koalicionit, por është subjekti më i fuqishëm politik. Numrin më të madh të drejtorive e ka Partia Demokratike e Kosovës, ndërmarrjet kryesore në kryeqytet i menaxhon Partia Demokratike e Kosovës, ndërkohë që pjesë e koalicionit janë edhe LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lidhja për Prishtinën”, tha ai.
Sveçla foli edhe për situatën brenda LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke pretenduar se ekziston një përçarje mes asamblistëve.
“Kur jemi te LDK-ja, duhet potencuar se në Kuvendin Komunal të Prishtinës i kemi dy grupe të LDK-së. Është grupi i Lumir Abdixhikut, që është 4-5 asamblistë, dhe pjesa tjetër që është grupi i Përparim Ramës, të cilët janë kundër Lumir Abdixhikut dhe e mbështesin Përparim Ramën. Kjo u dëshmua gjatë votimit të fundit, ku, përkundër faktit se me numra rezulton që shumica do të duhej të ishte mbi 35 asamblistë, shumica e pikave që kanë kaluar në mbledhje kanë kaluar me 25-26 asamblistë, gjë që konstaton, ose vërteton, përçarjen e madhe që është brenda grupit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës”, u shpreh ai për Ekonomia Online.
Ai tha se mes LDK-së dhe PDK-së nuk ka kritikë të ndërsjellë, pasi, sipas tij, të dyja partitë janë në pushtet.
“Nuk ka kritikë të ndërsjellë mes LDK-së dhe PDK-së, kur të dyja janë bashkë. Kritika e tyre është vetëm atëherë kur ndahen për shkak të interesave të ngushta partiake ose të grupeve të tyre brenda subjekteve që u përkasin. Ndërkohë, në anën tjetër nuk ka fare kritikë, e për më keq, nuk ka as bashkëpunim në kuptimin e realizimit të projekteve për të cilat edhe e kanë fituar besimin e qytetarëve. Nga ky bashkëpunim LDK-PDK, ai që dëmtohet më së shumti është qytetari, ndërkohë që ai që fare nuk prosperon është qyteti i Prishtinës. Kjo është dëshmuar edhe në mandatin e kaluar, kur kanë qenë bashkë, e fatkeqësisht po dëshmohet edhe në vitin e parë të bashkëpunimit të tyre në mandatin e dytë. Mirëpo, në fund mbetet që qytetarët janë ata që japin vlerësimin dhe këtij koalicioni, që asnjëherë asgjë të mirë nuk i ka sjellë Prishtinës, t’ia japin vendin që e meriton”, deklaroi Sveçla.
Ai shtoi se problemet në kryeqytet janë të shumta, ndërsa vlerësoi se dëmi i shkaktuar nga qeverisja aktuale është më i madh sesa puna e bërë.
“Prishtina ka aq shumë probleme, aq shumë kërkesa, sa është e pamundur që diçka të mos bëhet në të mirë. Megjithatë, sasia e dëmit që Përparim Rama dhe qeverisja e tij me PDK-në i kanë shkaktuar kryeqytetit është larg më e madhe sesa të mirat që i janë bërë Prishtinës. Natyrisht që ka ndonjë punë, qoftë në kuptimin e shërbimeve publike, qoftë në kuptimin e ndonjë investimi që i bën mirë qytetit dhe të cilin e mirëpresim, por po e përsëris: keqmenaxhimi me paranë publike, abuzimet financiare dhe mungesa e realizimit të projekteve kryesore janë ato që bien në pah, pavarësisht nëse ka ndonjë punë të mirë apo jo”, tha ai.
Sveçla tha se Lëvizja Vetëvendosje do të dëshironte të udhëhiqte me Prishtinën, por shtoi se e respekton rezultatin zgjedhor, duke akuzuar njëkohësisht qeverisjen aktuale për mosmbajtje të premtimeve.
“Jo, fatkeqësisht jo. Natyrisht që, si subjekt politik, do të donim që Lëvizja Vetëvendosje të ishte ajo që udhëheq me qytetin, por kështu nuk kanë vendosur qytetarët dhe ne e pranojmë këtë rezultat. Mirëpo, përvoja qoftë nga mandati i kaluar, qoftë në këtë mandat, po e dëshmon që qytetarët janë mashtruar. Janë mashtruar nga premtimet e Përparim Ramës, janë mashtruar nga premtimet e panelistit të tij të përhershëm, Uran Ismaili. Një shembull konkret është se z. Ismaili ka premtuar transport publik falas, ndërkohë që me Uran Ismailin në qeverisje dhe me Përparim Ramën kryetar, çmimi i transportit publik është dyfishuar në Prishtinë. Pra, mashtrimi në raport me qytetarët është evident dhe shihet në çdo pore të jetës në kryeqytet”, u shpreh ai.
